Spanja e Italia marrin komandën në Grupin B, pas humbjes Dalic beson: Na duhen 6 pikë

Me Spanjën që “shtypi” Kroacinë dhe me Italinë që doli me tre pikë kundër Shqipërisë, situata në Grupin B nis të konfigurohet që pas sfidës së parë, me “Furinë e kuqe” dhe “azzurrët” që hedhin një hap të sigurt drejtë kalimit për më tej. Raundi i dytë pritet të thotë shumë, mbi të gjitha për Kroacinë dhe Shqipërinë, një ndeshje që për të dy ekipet bëhet jetike për vazhdimësinë në “Euro2024”, për këtë është i qartë edhe trajneri Dalic, i cili fillimisht i kërkoi ndjesë tifozëve për humbjen e pastër 3-0:

“I kërkoj ndjesë mijëra tifozëve kroat që erdhën deri këtu. Nuk është një nisje e mirë, por më duhet t’i bëjë komplimente edhe Spanjës për fitoren. Na mungoi energjia dhe agresiviteti. Do të analizojmë atë që ndodhi. Na mbeten edhe dy ndeshje në fazën e grupeve. Duhet të përqendrohemi tek ato dy ndeshje dhe të marrim 6 pikë”, u shpreh Dalic pas ndeshjes.

Me suksesin e pastër kundër Kroacisë, Spanja hedh menjëherë kandidaturën si favorite, por De La Fuente kërkon të mbajë ekipin me këmbë në tokë: “Jam shumë i lumtur. Ky grup është një familje e madhe, një grup me shumë ambicie. Gjithsesi, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. E nisëm mirë, kjo fitore na jep pak siguri, por tani duhet të mendojmë për Italinë”, u shpreh De La Fuente.

(BalkanWeb)

SHKARKO APP