SPECIALE/ 7 vitet e fundit të United, me 1 miliard euro shpenzime dhe pak trofe
Manchester United pësoi një humbje të turpshme në shtëpi 1-2 ndaj Burnley-it, duke ju larguar gjithmonë e më shumë vendit të katërt në renditje. Gjërat nuk është se po shkojnë shumë mirë në “Old Trafford” në vitet e fundit, teksa ky aktuali nuk është se bën përjashtim.
Djajtë e Kuq kanë fituar për herë të fundit një trofe të rëndësishëm në vitin 2013, nën drejtimin e Sir Alex Ferguson. Që nga ai moment skuadrën e ka përfshirë një spirale zhgënjimesh që duket se nuk mbaron kurrë.
Në gjashtë sezonet e fundit triumfi më i rëndësishëm ka qenë Europa League në 2017-ën, në vitin ku edhe do të fitonin një FA Cup, një Kupë Lige dhe dy Community Shield. Gjithsesi Manchester United nuk është një klub i zakonshëm, por që historia e ka vendosur gjithmonë në skuadrat më të rëndësishme europiane. Premier League dhe Champions League, janë dy kompeticionet ku shumë yje nga kjo skuadër kanë lënë gjurmë.
Në 7 vitet e fundit pozicioni më i mirë ka qenë i dyti në sezonin 2017/18 (por 19 pikë pas Manchester City-it). Më pas kanë ardhur dy vende të gjashta, një vend i pestë, një vend i katërt dhe një vend i shtatë në sezonin 2013/14. Për të zemëruar më shumë tifozët e United, është shifra e frikshme që Djajtë e Kuq kanë shpenzuar në merkaton e transferimeve, teksa nuk bëhet fjalë për shifra të vogla.
Nga vera e vitit 2013 dhe deri më tani, Manchester United ka shpenzuar 1 miliard euro në merkato, një shifër që duhet të ishte shpërblyer me shumë trofe. Rezultatet kanë qenë aq të dobëta, teksa gjatë kësaj periudhe janë arkëtuar nga shitjet vetëm 346 milionë euro, duke pasur një bilanc negativë që shkon në afro 700 milionë euro.
Janë të shumtë futbollistët që kanë mbërritur në “Old Trafford: me shumë pritshmëri, por që kanë zhgënjyer. Mjafton të përmendim 75 milionë euro të shpenzuar për Di Marian, 35 për Schneiderlin dhe Depay, 42 për Mkhitaryan, 38 për Bailly, 84 për Lukakun (të cilin e shitën 65) dhe 59 për Fred. Vetëm dy nga blerjet e fundit Maguire dhe Wan-Bissaka, duket se kanë justifikuar disi shifrën e shpenzuar. Gjithsesi rruga e ringritjes së Manchester United duket e gjatë dhe e dhimbshme. /Rozalb Lika-Koha Jone/