SPECIALE/ Benzema kundër Messit, “El Clasico” përplas dy liderët e Realit dhe Barçës

Të shtunën në mbrëmje na pret një “El Clasico” shumë emocionuese mes Real Madridit dhe Barcelonës, me dy ekipet që kanë ndër futbollistët më të mirë në botë. Karim Benzema dhe Lionel Messi padyshim janë dy yjet që duhen pasur në konsideratë. Benzema ka shënuar 12 gola në 15 ndeshjet e fundit. 10 prej tyre janë realizuar në La Liga, ndërkohë që dështoi vetëm në sfidën e fundit ndaj Liverpoolit që të gjente golin. Para asaj ndeshje, numri 9-të i Los Blancos kishte 7 ndeshje radhazi, që shënonte në vazhdimësi kundër: Getafes, Valencias, Atletico Madrid, Elche-s, Atalantës, Celta Vigos dhe Eibar.

Benzema udhëheq Real Madridin – Francezi ka shënuar 24 gola në 34 ndeshje gjatë këtij sezoni, me mesataren më të mirë që ka pasur ndonjëherë në klubin madrilen. Nëse do të vijojë me këtë ritëm, ai mund të kalojë shifrën e 30 golave, ndërkohë që në sezonin më të mirë ka gjetur 32 herë rrugën e rrjetës nën drejtimin e Jose Mourinhos. Golat e Benzema kanë ndihmuar Los Blancos që të mbeten në garë për titull dhe të jenë pranë gjysmëfinales në Champions. 18 golat në La Liga, e kanë lënë vetëm pas Gerard Morenos, Luis Suarez dhe Lionel Messit në garën për Këpucën e Artë.

Messi udhëheq Barcelonën – Barcelona është një nga skuadrat pretendente për titullin kampion. Një nga arsyet është padyshim forma shumë e mirë e Lionel Messit në vitin 2021. Argjentinasi nuk e filloi sezonin në mënyrën e tij më të mirë, por me kalimin e kohës arriti të rigjente formën më të mirë. Ronald Koeman më në fund gjeti modulin e lojës që i përshtatet më së miri. Që nga 1 janari, Messi ka shënuar 16 gola në 13 ndeshje në La Liga. Ai ka udhëhequr i vetëm katalanasit drejt titullit kampion, ndërkohë që kërkon të rikthehet te golit në El Clasico, pasi i mungon që nga viti 2018. Në Bernabeo ka fituar 12 ndeshje dhe ka realizuar 15 gola, ndërkohë që këtë të shtunë për herë të parë do të luajë në stadiumin Valdebebas. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP