SPECIALE/ Krahasimet e renditjeve, Flamurtari dhe Laçi ngjitje rekord
Kategoria Superiore tashmë ka hyrë në një fazë shumë të nxehtë, pasi të premten zhvilloi ndeshjen e javës së 17, ku nuk munguan as rezultatet surprizë. Skënderbeu pësoi një humbje befasuese ndaj Luftëtarit në shifrat 2-0, ndërkohë që Kukësi konfirmoi forcën e saj ndaj Vllaznisë në Shkodër. Flamurtari fitoi me shumë vuajtje ndaj Partizanit duke ju falur një 11-metërshi në kohën shtesë. “Koha Jonë” duke u bazuar në renditjen aktuale të këtij sezoni, dhe të një viti më parë, ju sjell ndryshimet që kanë pësuar ekipet e Superiores.
Skënderbeu ka 5 pikë më shumë, duke e krahasuar me një sezon më parë, pasi në të njëjtën periudhë kishte vetëm 32 pikë, ndërkohë që tashmë ka 37. Krejt ndryshe është situata te Kukësi, pasi verilindorët kanë të njëjtën diferencë, por në krah të kundërt. Partizani ndërkohë ka një rënie të madhe, pasi në tabelën e renditjes i mungojnë 8 pikë, duke e krahasuar me sezonin 2016/17.
Rritjen më të madhe e ka skuadra e Laçit me 13 pikë më shumë, pavarësisht humbjes ndaj Kamzës. Një ngjitje të konsiderueshme ka edhe Flamurtari. Skuadra e Duros, ka plotë 8 pikë më shumë se një sezon më parë. Luftëtari ka një përmirësim me 1 pikë, ndërkohë që Vllaznisë i mungojnë 5 pikë në këtë renditje. Teuta ka 3 pikë më shumë se një sezon më parë. /Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

