SPECIALE/ Statistikat për vitin kalendarik 2019, ja ekipi më i mirë në Shqipëri

2019 ka mbyllur aktivitetin futbollistik në Shqipëri, teksa tashmë kjo është koha e duhur për të bërë edhe bilancet e një viti kalendarik që solli shumë emocione. Nëse marrim në konsideratë periudhën nga janari dhe deri më tani, do të dalim në disa përfundime shumë interesante. Periudha përfshin fazën e tretë dhe të katërt të sezonit të kaluar dhe të parën e thuajse të dytën (ende një javë pa zhvilluar). Skuadra më e mirë e vitit kalendarik 2019 është Partizani, që është edhe kampioni në fuqi i Shqipërisë. Të kuqtë arritën që të grumbullonin 33 pikë në pjesën e dytë të sezonit të kaluar dhe 28 pikë deri më tani në sezonin aktual, duke qenë ekipi më i mirë në bazë të statistikave me 61 pikë.

Vetëm 3 pikë pas tyre (58) qëndron klubi i Tiranës, që e mbylli mirë sezonin e kaluar dhe në këtë fazë po përjeton një rritje të madhe me Egbon, duke njohur 3 suksese radhazi. Në vendin e tretë qëndron Kukësi, që e mbylli keq fazën e tretë dhe katërt të sezonit të kaluar, ndërkohë që në 17 javët e para deri më tani ka grumbulluar 31 pikë, më shumë se çdo ekip tjetër. Në total janë 56 pikët për ekipin verilindor, që mund të bënte shumë më mirë me grupin e lojtarëve që ka në dispozicion.

Teuta dhe Skënderbeu kompletojnë 5-shen më të mirë, edhe pse shpesh herë më shumë ulje-ngritje në rezultatet e tyre. Luftëtari ka një rënie rekord krahasuar me sezonin e kaluar, duke grumbulluar thuajse sa 1/3 e pikëve. Në fazën e tretë dhe të katërt të sezonit 2018/2019 mori 28 pikë, ndërkohë që deri më tani në sezoni aktual vetëm 11 pikë.

Akoma më keq është Flamurtari që ka zbritur nga 26 pikë në 6 pikë, duke pasur rënien më të madhe. Besojeni ose jo, por Kastrioti që ra nga Kategoria sezonin e kaluar, ka grumbulluar po aq pikë sa vlonjatet, vërtet për të ardhur keq për krutanët që ishin ekipi i dytë me më shumë pikë në pjesën e dytë të sezonit të mëparshëm. /Rozalb Lika-Koha Jone/

Partizani            33+28=61

Tirana                30+28=58

Kukësi               25+31=56

Teuta                 24+28=52

Skënderbeu      25+21=46

Laçi                    19+25=44

Luftëtari            28+11=39

Flamurtari         26+6=32

Kastrioti            32*  

Bylis                   30

Vllaznia             23

Kamza               5*

*Kastrioti dhe Kamza pjesë e sezonit të kaluar

SHKARKO APP