Spektakël në derbi, Tirana fiton kundër Dinamos
Tirana triumfoi në derbin ndaj Dinamos më rezultatin 3-2, në sfidën e vlefshme për javën e 28-të në Superiore. Një përballje spektakolare me pesë gola të shënuar, por në fund festuan bardheblutë.
Ndeshja nisi me Dinamon më kërkuese, por golin e gjeti Tirana. Në minutën e 7-të, një aksion i rrjedhshëm nga bardheblutë, me Abazajn që asiston në zonë, aty ku Nikqi me kokë nuk fali dhe zhbllokoi sfidën.
Në minutën e 18-të, ishte Latifi që fitoi penallti, të cilën e ktheu vetë në gol. Dinamo reagoi, duke rrezikuar në disa raste, por nuk ia doli të shënojë, në pjesën e parë.
Klevi Qefalija ngushtoi diferencat në minutën e 69-të, ndërsa 7 minuta më vonë, i shënoi edhe të dytin ish-skuadrës së tij, duke barazuar sfidën.
Megjithatë, barazimi zgjati shumë pak, pasi në minutën e 79-të, Jonuzi shënoi të tretin për Tiranën, gol që rezultoi vendimtar deri në fund.
Tirana mban vendin e pestë me 39 pikë, ndërsa Dinamo në vendin e gjashtë me 3 pikë më pak.
KOHA JONË SONDAZH

