Stadiumi i Gramshit drejt modernizimit, Duka inspekton punimet: Futbolli duhet të zhvillohet në çdo qytet të Shqipërisë
Federata e Futbollit, në bashkëpunim me Bashkinë Gramsh, ka nisur punimet për rikonstruksionin e stadiumit “Myslim Koçi”, një tjetër investim i rëndësishëm në funksion të përmirësimit të infrastrukturës sportive dhe zhvillimit të futbollit në të gjithë vendin. Ky projekt synon krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive, veçanërisht për ekipet vendase dhe moshat e reja.
Me nisjen zyrtare të punimeve, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, inspektoi nga afër procesin e rikonstruksionit gjatë një vizite në Gramsh, ku u prit nga Kryetari i Bashkisë, Besion Ajazi. Gjatë inspektimit, Presidenti Duka u njoh në detaje me projektin, i cili parashikon rikonstruksionin e dhomave të zhveshjes, ndërtimin e tribunës së re, modernizimin e ambienteve ndihmëse, si edhe instalimin e tapetit me bar artificial në fushën e stadiumit “Myslim Koçi”, duke e përshtatur atë me standardet bashkëkohore për zhvillimin e ndeshjeve dhe stërvitjeve.
Në një prononcim për fshf.org, Presidenti Duka vlerësoi projektin për stadiumin e Gramshit, duke e cilësuar si një impiant modest, por modern, që plotëson standardet për zhvillimin e ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare të nivelit të dytë.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar falënderoi Bashkinë Gramsh për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e futbollit, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të futbollit në çdo qytet të Shqipërisë.

“Kënaqësi për mua të jem sot në Gramsh bashkë me Kryetarin e Bashkisë për të inspektuar punimet e ndërtimit të këtij stadiumi, modest por modern, i bukur, i cili plotëson të gjitha kushtet për organizimin e ndeshjeve jo vetëm të kampionatit kombëtar shqiptar, por edhe internacionale deri në një lloj niveli, pra një stadium i kategorisë së dytë.
Dua ta falënderoj kryetarin e bashkisë për bashkëpunimin në ndërtimin e stadiumit, por jo vetëm kaq, por për të gjithë bashkëpunimin në zhvillimin e futbollit edhe në këto anë, sepse futbolli nuk luhet vetëm në Tiranë, Durrës apo në qendrat e mëdha urbane, por duhet të luhet në çdo cep të Shqipërisë, në çdo cep të globit.
Kënaqësi që ju keni 250 fëmijë që luajnë futboll në zonën e Gramshit, keni një ekip vajzash që është nga më kualitativët në kampionatin kombëtar shqiptar dhe uroj që të kemi edhe me djemtë të njëjtin sukses që keni edhe me vajzat. Jam shumë i sigurt që stadiumi i ri dhe fusha tjetër që do të bëhet për stërvitje pas stadiumit, do t’i shërbejë jo vetëm ekipit të vajzave, por edhe ekipit të djemve për të shkuar akoma më përpara.
Uroj që të kemi sa më shumë fëmijë që të luajnë futboll jo vetëm në stadium, por edhe në fushën tjetër të stërvitjes që kemi në Gramsh dhe të edukohen nëpërmjet lojës tonë të futbollit. Edhe njëherë të falënderoj kryetar për të gjithë bashkëpunimin, për të gjithë mbështetjen që i jep futbollit, i njohim vështirësitë që keni në këtë qytet, por pasioni juaj ka bërë që ta ndihmoni atë.
Të falënderoj shumë dhe uroj që të takohemi për ta inauguruar stadiumin në sezonin e ri futbollistik në shtator”, tha Presidenti Duka.

KOHA JONË SONDAZH

