Starton Champions League, ja duelet spektakolare. Sonte Milan-Liverpul dhe nesër Manchester City-Inter

Magjia e Champions League vjen me një format të ri dhe një himn të ri. Kompeticioni më spektakolar i futbollit europian merr jetë nga ora 18:45 me dy ndeshjet e para. Kujtojmë që këtë edicion marrin pjesë 36 skuadra, duke formuar një mini-kampionat, ku vetëm 8 ekipet me renditjen më të mirë do të kualifikohen automatikisht në fazën e 16 më të mirave, ndërkohë që 16 skuadra të tjera do të luajnë më pas fazën Play Off.

Një format shumë interesant, ku çdo skuadër do të luajë me 8 ekipe të tjera. Por sa pikë duhen për t’u kualifikuar në 8 vendet e para?  Në 43% të rasteve do të duhen 15 pikë për të avancuar më tej, ndërkohë që deri në vendin e 24 mjaftojnë të paktën 9 pikë.

Juventus do të ketë shansin për të nisur këtë edicion, duke u rikthyer në Champions me duelin ndaj PSV. Skuadra e Motta-s me shumë lojtarë të rinj synon ta nis me fitore kundër holandezëve, që po kalojnë një sezon fantastik me 5 fitore në 5 ndeshje në kampionat.

Mbrëmja më pas do të jetë edhe më e ndezur, Milani do të ketë një duel që premton shumë emocione kundër Liverpoolit. “The Reds” janë disi më të favorizuar, pasi po kalojnë një sezon më pozitiv, ndërkohë që Fonseca, kërkon të bëjë befasinë. Real Madrid nuk pritet të ketë shumë probleme kundër Stuttgardit, ndërkohë që Bayerni do të sfidojë Dinamo Kiev.

Të mërkurën vijon me ndeshje të tjera emocionuese, ku spikat mbi të gjitha Manchester City-Inter, dy nga skuadrat që shihen si favorite për këtë edicion. Zikaltrit u ndalën në fundjavë, pasi ishin me “mendje” te dueli ndaj “qytetarëve”, ndërkohë që Guardiola si gjithmonë synon perfeksion dhe në këtë edicion.

Borussia Dortmund nuk pritet ta ketë aspak të thjeshtë kundër Club Brugge në transfertë, ndërkohë që PSG do të presë në shtëpi Girona-n. Të enjtën spikat dueli Atalanta-Arsenal, një sfidë mes të barabartëve, që nuk sheh asnjë favorit, por që premton emocione. Leverkuseni do ta ketë të vështirë në transfertën ndaj Feyenoordit, ndërkohë që Atletico Madrid pret Leipzig./ R.Lika-Koha Jonë/

Image

 

 

SHKARKO APP