
Elbasani ka siguruar një fitore dramatike 2-1 ndaj Partizanit, duke përmbysur rezultatin në minutat e fundit të takimit të zhvilluar në “Elbasan Arena”.
Të kuqtë kaluan në avantazh në minutën e 16-të, kur Joviçiç shfrytëzoi një goditje dënimi dhe me kokë mposhti portierin Aleksovski. Partizani e ruajti epërsinë deri në minutën e 82-të, kur Mazari barazoi shifrat me një gjuajtje nga jashtë zonës, të devijuar nga Pasagiç.
Drama kulmoi në minutën e 88-të. Nikaj dërgoi topin në rrjetë pas pasimit të Markut, por goli u anulua fillimisht për pozicion jashtë loje. Pas verifikimit me VAR, arbitri Çelaj vendosi ta akordonte golin, duke shkaktuar polemika. Kjo humbje e rëndon situatën e Partizanit, që vijon të qëndrojë në fund të renditjes, ndërsa Elbasani feston tri pikë të arta.
Skënderbeu dhe Laçi kanë ndarë nga një pikë në përballjen e luajtur në Korçë, e cila u mbyll në barazim 1-1. Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 27-të me Lagonidis, ndërsa Laçi reagoi në pjesën e dytë, duke barazuar shifrat në minutën e 64-t me Traore. Në fund, asnjëra prej skuadrave nuk arriti të gjente golin e fitores, duke bërë që sfida të mbyllej në barazim.
Më herët, Vora fitoi 2-1 ndaj Vllaznisë në ndeshjen hapëse të javës së nëntë të Abissnet Superiore. Klaus Kashari zhbllokoi sfidën në minutën e 17-të, ndërsa Daka dyfishoi pesë minuta para fundit. Balaj shënoi me penallti për shkodranët, por pa shmangur humbjen. Vora ngjitet në 11 pikë.
