SUPERIORE/ “Paqe” në klasiken Tirana-Vllaznia, Bylis befason Elbasanin
Tirana dhe Vllaznia u ndalën në një barazim 1-1 në Klasiken e futbollit shqiptar, sfidë e vlefshme për javën e 17-të të Superiores, e cila u karakterizua nga vendimet nga pika e bardhë.bSkuadra bardheblu e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë, duke kaluar në epërsi që në minutën e 5-të, kur Rafa Silva u tregua i saktë nga 11 metërshi. Reagimi i Vllaznisë nuk vonoi dhe në minutën e 26-të ishte Balaj që barazoi shifrat, gjithashtu nga penalltia, pas një faulli në zonë.
Sulmuesi shkodran pati rastin ideal për të përmbysur rezultatin pak para pushimit, por në minutën e 44-t gaboi nga pika e bardhë, me portierin Tafas që priti goditjen dhe mbajti Tiranën në lojë. Pjesa e dytë ofroi më pak emocione dhe raste konkrete, me të dyja ekipet që u treguan më të kujdesshme, duke e mbyllur takimin me ndarjen e pikëve.
Ky barazim e lë Vllazninë në vendin e katërt të renditjes me 27 pikë, duke reflektuar një moment jo të mirë të skuadrës shkodrane. Nga ana tjetër, Tirana mbetet në fundin e tabelës me 9 pikë, duke regjistruar barazimin e dytë radhazi.
Në sfidën tjetër të luajtur, Bylis realizoi surprizën e javës duke mposhtur Elbasanin me rezultatin 3-2 në stadiumin “Adush Muça”. Ballshiotët u shfaqën më agresivë që nga fillimi dhe arritën të kalojnë në avantazh në minutën e 44-t, kur Mustapha shndërroi në gol një penallti. Sulmuesi ishte protagonist absolut edhe në pjesën e dytë, duke shënuar golin e dytë menjëherë pas rifillimit dhe të tretin vetëm dy minuta më vonë.
Elbasani u përpoq të rikthehej në lojë me golat e Loukili në minutën e 52-të dhe Tsague në të 69-tën, por pa arritur të shmangë humbjen. Në minutat e fundit, Bylis mbeti me një lojtar më pak pas ndëshkimit me karton të kuq të Camarës. Falë këtij suksesi, Bylis ngjitet në vendin e shtatë me 18 pikë, ndërsa Elbasani zbret në vendin e dytë me 32 pikë në renditjen e Superiores.
KOHA JONË SONDAZH

