SUPERIORE/ Partizani triumfon ndaj Egnatias, Bylis ndal Elbasanin
Pasditen e sotme në Superiore, u zhvilluan disa nga përballjet e javës. Partizani arriti një fitore të rëndësishme ndaj Egnatias, duke triumfuar me rezultatin 2-0 në stadiumin “Arena e Demave”.
Të kuqtë e zgjidhën sfidën që në minutat e para të takimit. Murataj zhbllokoi rezultatin në minutën e 8-të, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë Sidibe dyfishoi shifrat, duke i dhënë qetësi skuadrës kryeqytetase që administroi avantazhin deri në fund.
Situata për rrogozhinasit u komplikua edhe më shumë në pjesën e dytë, kur Aleksi u ndëshkua me karton të kuq rreth 20 minuta para përfundimit, duke e lënë ekipin me një lojtar më pak në fushë.
Pas kësaj fitoreje, Partizani ngjitet në kuotën e 39 pikëve, duke ndarë vendin e pestë me Dinamon, që renditet një pozicion më lart për shkak të golavarazhit. Në ndeshjen tjetër të ditës, Bylis dhe Elbasani ndanë pikët pas barazimit 1-1 në një përballje të luftuar deri në fund.
KOHA JONË SONDAZH

