Superiore/ Vllaznia triumfon ndaj Egnatias, Elbasani bën paqe me Flamurtarin
Janë mbyllur dy përballjet e javës së 19-të të Abissnet Superiore, me rezultate që ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen e kreut dhe zonës së poshtme të tabelës.
Në stadiumin “Loro Boriçi”, Vllaznia regjistroi një fitore me peshë përballë kampiones në fuqi, Egnatias. Shkodranët zhvilluan një ndeshje të kujdesshme dhe u shpërblyen në pjesën e parë, kur pas një aksioni të ndërtuar me durim, Sherif Kallaku finalizoi saktë brenda zonës me të majtën, duke i dhënë avantazhin vendasve. Ky gol rezultoi vendimtar për fatin e takimit.
Në pjesën e dytë, Egnatia u përpoq të reagojë dhe në minutën e 59-të gjeti rrugën e rrjetës me Buric, por gëzimi i rrogozhinasve zgjati pak, pasi arbitri anuloi golin për pozicion jashtë loje të Albaneses në nisje të aksionit. Deri në fishkëllimën finale rezultati mbeti i pandryshuar, 1-0 për Vllazninë, që ndali serinë prej katër fitoresh radhazi të kryesuesve. Egnatia vijon të mbajë vendin e parë me 37 pikë, ndërsa Vllaznia ngjitet në vendin e tretë me 33 pikë.
Ndërkohë, në “Elbasan Arena”, Elbasani nuk arriti të shkonte më shumë se një barazim ndaj Flamurtarit. Pas një pjese të parë pa gola, sfida mori jetë në fraksionin e dytë. Në minutën e 70-të, arbitri akordoi penallti për vendasit pas ndërhyrjes së Trashit ndaj Lajthias, ndërsa Diallo u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke kaluar Elbasanin në epërsi.
Reagimi i Flamurtarit ishte i menjëhershëm. Vlonjatët barazuan shifrat me Aldrit Oshafin, i cili realizoi me kokë pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar në zonë. Rezultati 1-1 mbeti i pandryshuar deri në fund.
Pas kësaj jave, Elbasani renditet në vendin e dytë me 34 pikë, ndërsa Flamurtari vazhdon të qëndrojë në vendin e nëntë me 15 pikë, në kërkim të rezultateve që do ta nxjerrin nga zona e rrezikut.
KOHA JONË SONDAZH

