Surprizë në kryeqytet, Tirana ndal Egnatian dhe i shkakton humbje rrogozhinasve

Tirana ka marrë një fitore shumë të rëndësishme përballë Egnatias, duke triumfuar me rezultatin 3-1 në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe duke ndezur edhe më shumë garën në Superiore. Bardheblutë zhvilluan një paraqitje të mirë dhe shfrytëzuan maksimalisht rastet e krijuara për të siguruar tre pikë me shumë vlerë.

Skuadra kryeqytetase kaloi e para në avantazh me golin e Tabekut. Realizimi u verifikua fillimisht nga sistemi VAR, i cili konfirmoi se topi kishte kaluar vijën fatale dhe goli u quajt i rregullt. Ky moment i dha Tiranës epërsinë dhe më shumë besim në lojë.

Në pjesën e dytë, Egnatia reagoi dhe arriti të rikthente baraspeshën me anë të Buriç, i cili shënoi golin e barazimit. Megjithatë, festa e miqve zgjati pak, pasi Tirana reagoi menjëherë dhe mori sërish kontrollin e takimit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në minutën e 63-të, Xhixha u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke kthyer avantazhin për bardheblutë. Vetëm gjashtë minuta më pas, Halili vulosi përfundimisht fatin e sfidës me golin e tretë, duke çuar shifrat në 3-1 dhe duke siguruar fitoren për ekipin e tij.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjatë ndeshjes nuk munguan as momentet e diskutueshme. Futbollistët e Egnatias kërkuan disa herë penallti për episode të dyshimta në zonë, por arbitri Albert Doda vendosi të mos akordojë asnjë 11-metërsh, duke qëndruar i vendosur në vendimet e tij.

Kjo humbje i kushton shumë Egnatias në garën për kreun, pasi rrogozhinasit mbeten dy pikë pas Vllaznisë, që ende nuk ka zhvilluar ndeshjen e javës së 31-të ndaj Teutës. Nga ana tjetër, Tirana merr frymë lirisht në renditje, duke u ngjitur në zonën “play out” dhe duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë.

Me këtë sukses, bardheblutë rikthejnë entuziazmin te tifozët dhe japin sinjale të forta për vazhdimësinë e sezonit

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?