Sylvinho: Ndeshja e bukur ndaj Ukrainës, pas Europianit disa lojtarë kanë pushuar shumë pak
Trajneri Sylvinho doli në konferencë për shtyp para ndeshjes Ukrainë-Shqipëri, të vlefshme për Nations League. Sipas tij është një moment delikat për shkak të dëmtimeve, apo fakti që vijnë një sezon i ngarkuar pa pushime.
“Është moment delikat për futbollistët. Pas një Europiani, me shumë pak pushim, ndodhin dëmtimet. Ka shumë ndeshje, nuk është e lehtë. Shumë prej lojtarëve nuk kanë bërë pushime. Por, është mundësia për lojtarët e tjerë.
Ukraina? Është një grup shumë i vështirë. Ukrainën e kemi parë, trajneri Rebrov është i zoti, kanë lojtarë shumë të mirë në mesfushë, mbrojtje të fortë dhe portier të shkëlqyer. Është ekip i organizuar.
Nesër do të jetë një ndeshje teknike, e hapur dhe me tranzicione të shpejta nga të dy palët, se ata nisen shumë mirë. Kanë lojtarë të shpejtë, teknikisht të fortë. Pastaj edhe ne jemi një ekip me kundërsulme, kemi cilësi teknike. Mendoj se nesër është mundësi ta shohim një ndeshje të bukur. Ukraina e përsërit, është shumë e fortë. Është një grup i ekuilibruar dhe nesër na pret një ndeshje e vështirë.
Kombëtarja është e hapur gjithmonë dhe kushdo që vjen, ka dëshirën dhe motivimin e duhur. Nëse nuk ka dëshirë për të luajtur me fanellën e Kombëtares, nuk vjen fare. Uzuni dhe Ismajli janë shumë të karikuar, nuk kam fare merak.
Skema? Ne për 1 vit e gjysmë kemi luajtur me 4-3-3 dhe 4-2-3-1. Ne i përshtatim skemat sipas karakteristikave që kemi te lojtarët. Mund të punojmë edhe me skemën 4-4-2. Uzuni mund të luajë sulmues qendror. Kemi lojtarë të fortë. Duke njohur karakteristikat e lojtarëve mund të përshtatim edhe skemat”, shtoi Sylvinho.