Sylvinho reagon pas rinovimit: Vazhdojmë së bashku, me vendosmëri dhe zemër!
Pas rinovimit të kontratës deri në korrik të 2026, Sylvinho në një postim në Instagram tha se është vazhdimi i një projekti. Trajneri i Kombëtares shton se Kuqezinjtë kanë arritur një objektiv historik me kualifikimin në Play Off e Botërorit 2026 dhe ajo që e pret ekipin kërkon përkushtim dhe punë.
“Vazhdojmë së bashku. Kam rinovuar kontratën me ekipin Kombëtar të Shqipërisë për 6 muaj të tjerë, duke i dhënë vazhdimësi një projekti që është ndërtuar me shumë punë, profesionalizëm dhe unitet.
Deri më tani, kemi arritur një objektiv historik: kualifikimin për herë të dytë në historinë e vendit në finalet e Kampionatit Evropian, duke shfaqur në fushë paraqitje konkurruese dhe të respektueshme, së bashku me kualifikimin për herë të parë në fazën play-off të Botërorit 2026.
Këto janë rezultate që pasqyrojnë progresin, identitetin dhe forcën kolektive të këtij ekipi. Ajo që na pret më pas do të kërkojë edhe më shumë përkushtim, punë të palodhur dhe angazhim nga të gjithë.
Ne qëndrojmë të fortë, ditë pas dite, me vendosmëri dhe zemër. Forca Shqipëri!”, ka shkruar braziliani në Instagram.
Shqipëria do të luajë më 26 mars me Poloninë në Varshavë dhe, nëse e kalon me sukses këtë pengesë, do të përballet me fituesin e takimit Ukrainë-Suedi për një vend në finalet e Botërorit 2026.
View this post on Instagram
KOHA JONË SONDAZH

