Sylvinho shpjegon zgjedhjet: Më pëlqen Gripshi, por s’mund të marr 27-28 lojtarë

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, në konferencën e sotme për shtyp, është ndalur edhe tek emrat e disa lojtarëve të cilët nuk janë përfshirë në listën prej 25 futbollistësh për ndeshjet ndaj Serbisë dhe Jordanisë.
Braziliani tha se nuk dëshiron të grumbullojë një numër të madh lojtarësh për këto sfida, duke e kufizuar listën vetëm në 25: “Unë nuk dua të shkoj në Serbi me 28 lojtarë. Është e shëmtuar të kesh futbollistë në tribunë. Dua të punoj me një grup të përqendruar,” u shpreh ai.
Sylvinho tregoi se ka ndjekur me kujdes Florent Gripshin: “E kam parë prej gjashtë muajsh dhe më pëlqen si lojtar,” tha ai, duke shtuar se edhe Arbër Mehmeti është vëzhguar nga stafi, por konkurrenca në krahun e majtë është shumë e fortë.
“Mehmeti me ekipin e tij luan në të majtë, ndërsa te ne e kemi vendosur në të djathtë. Në këto pozicione kemi shumë lojtarë dhe nuk mund të çoj 27-28 futbollistë,” shpjegoi tekniku.
Në lidhje me Taulant Seferin, trajneri u shpreh se është i kënaqur me paraqitjet e tij, por lista është e mbyllur për momentin: “Seferi ka bërë mirë, por jam shumë i kënaqur me të gjithë. Edhe Çokaj më ka pëlqyer shumë. Megjithatë, në thelb kjo është lista me të cilën do të punojmë.”
KOHA JONË SONDAZH

