Sylvinho viziton Kombëtaren U-17 në stërvitjen e parë, Shpuza dhe Marinaj shpalosin objektivat e Shqipërisë

Kombëtarja U-17 ka nisur që prej ditës së mërkurë grumbullimin në kuadër të përgatitjeve për fazën ‘Elite Round’ të Europianit të kësaj grup-moshe. Ekipi me 25 futbollistët e grumbulluar për këto kualifikuese nga trajneri Ervin Bulku zhvilluan seancën e parë stërvitore pasditen e së mërkurës në ambientet modern të “Shtëpisë së Futbollit”.

Në stërvitjen e së mërkurës, kuqezinjtë kishin edhe një vizitë të veçantë, pasi në këtë seancë të parë, ekipit i është bashkuar edhe trajneri i Kombëtares A, Sylvinho, i shoqëruar zëvendës – trajnerët, Zabaleta, Dorival dhe Salihi.

Trajneri brazilian pati një diskutim edhe me trajnerin Bulku dhe skuadrën kuqezi mbi këto ndeshje dhe mbi rëndësinë që kanë këto takime, ndërsa u kërkoi lojtarëve që ta marrin sa më seriozisht dhe të punojnë fort e me përkushtim për të arritur objektivin historik, kualifikimin në finalet e Europianit 2023 për këtë grupmoshë. Tekniku Sylvinho ndau me kuqezinjtë e vegjël edhe eksperiencen e tij si trajner në fushë, duke qenë për një ditë ‘timonier i Kombëtares U-17’.

Trajneri Ervin Bulku ka grumbulluar 25 lojtarë për këto ndeshje kundër Francës, Zvicrës dhe Letonisë, një pjesë e të cilëve janë ftuar për herë të parë nga Kombëtarja. Fshf.org intervistoi dy prej kuqezinjve të rinj, të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë fazë, mbrojtësin e Udinese-s, Kleo Shpuza dhe mesfushorin e Lazio-s, Klejdi Marinaj.

Shpuza nuk e fsheh kënaqësinë që ka marrë ftesë nga stafi i ekipit kombëtar U-17 dhe që do të përfaqësojë Shqipërinë në fazën ‘Elite Round’ të Europianit, ndërsa pohon se kuqezinjtë janë një grup i mirë dhe kanë shpresa për t’u kualifikuar. “Ndihem shumë i kënaqur. Është hera ime e parë që grumbullohem me Kombëtaren U-17. Jam një nga lojtarët më të vegjël. Më kanë pritur shumë mirë. Jam shumë i kënaqur, edhe familja ime është shumë e gëzuar që jam pjesë e Kombëtares. Edhe tek ekipi i Udinese-s ku unë luaj, ishin shumë të kënaqur që unë do të vij e do të përfaqësoj Shqipërinë.

Është stërvitja ime e parë dhe kemi shumë shpresa për t’u kualifikuar. Është një ekip i fortë, kemi shumë cilësi dhe mendoj se mund të jemi pjesë e finaleve të Europianit. Pozicioni im në fushë është si mbrojtës i majtë në fushë. I kam cilësitë për të ndihmuar këtë ekip. Ëndrra ime është që të luaj në Serinë A dhe të jem pjesë e Kombëtares shqiptare A.

Ndërkaq, edhe mesfushori kuqezi i Lazio-s, Klejdi Marinaj është shumë i kënaqur që është pjesë e përfaqësueses shqiptare dhe ndihet i emocionuar që do të luajë për Shqipërinë. “Jam shumë i kënaqur që kam marrë një ftesë nga Kombëtarja. Grupi është shumë i fortë. Jam shumë i sigurt që do të bëjmë shumë mirë në këto kualifikuese. Është një emocion i madh që do të luaj për Shqipërinë” – shprehet Marinaj, i cili nënvizon se kuqezinjtë do të japin maksimumin në çdo ndeshje, pavarësisht se kush është rivali. “Grupi është shumë i mirë. Lojtarët janë shumë të fortë dhe shumë të mirë. Do japim maksimumin në çdo ndeshje, me Francën e kemi pak të vështirë, por do të tentojmë të marrim pikët maksimale me Zvicrën dhe Letoninë” – tha Marinaj për fshf.org.

Shorti i UEFA-s e ka vendosur Shqipërinë në Grupin 8 së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë, ndërsa ndeshjet e kësaj faze do të luhen në vendin tonë në muajin mars 2023, në stadiumet “Air Albania” e “Elbasan Arena” dhe do të organizohen nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Ndeshja Francë-Shqipëri do të luhet më datë 22 mars 2023 në “Air Albania” duke nisur nga ora 11:30 ndërsa po atë ditë do të luhet ndeshja tjetër Letoni-Zvicër në “Elbasan Arena” që nis në ora 15:30. Ndeshjet e dyta luhen më 25 mars me Francë-Letoni, ora 11:30 në “Elbasan Arena” dhe Zvicër-Shqipëri ora 17:00 në “Air Albania”. Ndeshjet e treta dhe të fundit do të luhen më datë 28 mars 2023 dhe të nisin të dyja në ora 17:00. Shqipëri-Letoni do të luhet në “Air Albania”, ndërsa Zvicër-Francë do të zhvillohet në “Elbasan Arena”.

SHKARKO APP