Takimi me Zelenskey në Florida, Trump: Asgjë nuk miratohet pa mua!
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të zhvillojë sot një takim të rëndësishëm në Florida me presidentin amerikan Donald Trump, në një përpjekje për të forcuar pozicionin e Kievit dhe për të siguruar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për versionin më të fundit të planit të paqes, që synon t’i japë fund luftës gati katërvjeçare me Rusinë.
Zelensky ka udhëtuar drejt SHBA-së me propozime të reja, veçanërisht mbi çështjen delikate të pretendimeve territoriale, e cila mbetet një nga pikat më të ndjeshme të negociatave. Megjithatë, presidenti Trump ka deklaruar për “Politico” se “nuk do të ketë asgjë derisa unë ta miratoj”, duke sinjalizuar se çdo marrëveshje do të varet nga qëndrimi i tij përfundimtar.
Pavarësisht kësaj, Trump është shprehur optimist për takimin, duke thënë se beson se ai “do të shkojë mirë” dhe se pret të bashkëpunojë edhe me presidentin rus Vladimir Putin, të cilin ka bërë të ditur se synon ta takojë “së shpejti”.
Nga ana tjetër, Zelensky ka theksuar se pret një takim “shumë konstruktiv”, deklaratë që e bëri gjatë një ndalese të shkurtër në Kanada, ku u takua me disa liderë evropianë. Kancelari gjerman Friedrich Merz konfirmoi se partnerët evropianë i kanë garantuar presidentit ukrainas “mbështetje të plotë”, ndërsa kryeministri kanadez Mark Carney njoftoi një paketë të re ndihme financiare për Ukrainën në vlerë prej 2.5 miliardë dollarësh kanadezë.
Takimi në Florida shihet si një moment kyç për të ardhmen e përpjekjeve diplomatike për përfundimin e konfliktit dhe për rolin që SHBA-ja do të luajë në fazën e ardhshme të negociatave.
KOHA JONË SONDAZH

