Tare para Juves: Leao thelbësor për ne, fakti që nuk luajmë në mesjavë na ndihmon shumë!
Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka folur për “DAZN” përpara ndeshjes Juventus–Milan, duke analizuar situatën e skuadrës, formën e lojtarëve kryesorë dhe rëndësinë e këtij momenti për projektin kuqezi. Në lidhje me Rafael Leaon dhe ndërveprimin e tij (ka bërë humor me reagimet e Allegrit) në rrjete sociale, Tare tha:
“Koha ka ndryshuar shumë krahasuar me periudhën tonë. Sot lojtarët komunikojnë drejtpërdrejt me tifozët përmes rrjeteve sociale, dhe kjo është pjesë e futbollit modern. Për sa kohë respektohen rregullat e klubit, gjithçka është në rregull. Leaos i pëlqen kjo mënyrë, është pjesë e karakterit të tij. Me Allegrin është krijuar një marrëdhënie shumë e mirë që në fillim — Max di të motivojë dhe të nxjerrë më të mirën nga çdo lojtar. Leao është thelbësor për ne dhe jemi duke e ndihmuar të rikuperohet plotësisht pas dëmtimit të gjatë që ka pasur.”
Tare foli edhe për sulmuesin Santiago Gimenez, që sot është titullar sërish: “Ka bërë një rritje të jashtëzakonshme, sidomos fizikisht. Këtë javë na ka surprizuar pozitivisht në stërvitje, duket në formë të shkëlqyer. Kemi shumë besim te ai dhe e ndien edhe nga grupi. Jam i bindur se do të bëjë një ndeshje të madhe, ndoshta edhe do të shënojë golin e tij të parë në kampionat.”
Në fund, drejtori sportiv u ndal te rëndësia që ka për Milanin fakti se nuk luan në mesjavë: “Kjo na ndihmon shumë. Kemi mundësi të përgatitim ndeshjet në mënyrën më të mirë dhe të punojmë individualisht me lojtarët. Është thelbësore të nisnim mirë, siç kemi bërë, por rruga është ende e gjatë. Tani kemi një situatë të mirë që na jep qetësi për të punuar, por duhet të ruajmë vazhdimësinë sepse kampionati është shumë i vështirë dhe plot skuadra me objektiva madhorë.”
KOHA JONË SONDAZH

