Tare të hënën emërohet drejtor sportiv te Milani, zbulohet paga dhe detajet e kontratës

Tare të hënën emërohet drejtor sportiv te Milani, zbulohen detajet e kontratës

Pas disa muajsh spekulimesh, zërash dhe emrash të ndryshëm të përfolur, më në fund është konfirmuar: Igli Tare do të jetë drejtori i ri sportiv i Milanit, duke nisur nga sezoni 2025/26.

Vendimi për të përshpejtuar emërimin e ish-drejtuesit të Lazios erdhi pas humbjes së rëndë ndaj Romës që e nxorri nga gara për të zënë një vend në kompeticionet evropiane për sezonin e ardhshëm.

Pas një takimi mes presidentit të RedBird, Gerry Cardinale, dhe administratorit të deleguar Giorgio Furlani, është arritur marrëveshja verbale për përfshirjen e Tares në strukturat e klubit.

Sipas raportimeve të Calciomercato.com, Tare do të firmosë një kontratë 3-vjeçare (me formulën 2+1 me opsion në favor të klubit) me një pagë prej 800 mijë eurosh në vit. Marrëveshja fillestare u arrit më 16 prill në një takim në Romë mes Tares dhe Furlanit, por Milani vendosi të përshpejtojë gjithçka pas dështimit të pistave të tjera alternative.

Ish-sulmuesi shqiptar gëzon një marrëdhënie të shkëlqyer me Geoffrey Moncada, me të cilin do të punojë në harmoni për zgjedhjen e trajnerit të ri dhe ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Vendimet përfundimtare do të miratohen nga Furlani, por Tare do të jetë operativ menjëherë.

Të hënën pritet të nënshkruhen kontratat, ndërsa Tare do të ketë në dorë një projekt teknik afatgjatë, me objektivin për të rikthyer Milanin në Champions League përmes blerjeve strategjike dhe të perspektivës. /R.Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP