Taulant Xhaka rrëfen emocionet: Jam fans i Shqipërisë dhe i skuadrës
Taulant Xhaka ka rrëfyer emocionet dhe marrëdhëniet e tij me fanellën kuqezi. Ai u ndal tek debutimi historik me fitore ndaj Portugalisë, momentet më të bukura dhe më të vështira me Kombëtaren, si dhe te vlerësimi për ekipin aktual.
“Jam fans i Shqipërisë dhe i skuadrës. Është nder dhe besoj se është fanella më e bukur në botë”, shprehet Xhaka, duke theksuar krenarinë që i ka dhënë gjithmonë përfaqësimi i vendit.
Ai rikujton debutimin e tij me Kombëtaren si një ëndërr të bërë realitet, ndërsa ndeshjen kundër Serbisë e cilëson si momentin më të trishtuar. Për sakrificat personale, ish-mesfushori thekson se gjithmonë ka dhënë maksimumin, duke shtuar se “kisha vdekur për këtë fanellë”.
Xhaka vlerëson progresin e bërë, talentin e lojtarëve të rinj dhe besimin se ekipi ka mentalitetin dhe kualitetin për të përballuar ndeshjet e play-off-it. Ai veçon Qazim Laçin si lojtar që i kujton veten, si për stilin e lojës ashtu edhe për fanellën me numrin 14.
Në fund, mesazhi i tij për tifozët është i qartë: mbështetja e tyre ka qenë dhe mbetet vendimtare. “Tifozët janë lojtari i 12-të”, shprehet Xhaka, duke i ftuar të jenë pranë ekipit në momentet kyçe.
KOHA JONË SONDAZH

