“Të artat” mbërrijnë në Kosovë, Kurti pret Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin
“Të artat” e Kosovës në Olimpiadën Tokio 2020, xhudistët Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi janë kthyer në Prishtinë ku janë pritur nga kryeministri Albin Kurti.
Sportistet u shprehën se suksesi i takon të gjithë popullit të Kosovës e veçanërisht trajnerit Driton Kuka.
“Dua të falënderoj trajnerin tim Driton Kuka që ka sakrifikuar për të arritur unë këtu, gjithashtu dua të falënderoj familjen tim që më kanë drejtuar të merrem me këtë sport. Faleminderit edhe gjithë klubit “Ippon”, që kanë derdhur djersë për këto medalje. Kjo medalje është për të gjithë popullin e Kosovës dhe dua t’u them se kishim përkrahje të madhe”, ka thënë Nora Gjakova.
Kurse Distria Krasniqi premtoi medalje të tjera në vijim. “Këto medalje dhe këtë sukses ia kushtoi Tonit dhe të gjithë atyre që na kanë përkrahur. Do të luftojmë edhe për lojërat në Paris dhe këto medalje nuk do të jenë të fundit, pasi do të luftojmë edhe për shumë të tjera”.