Të qeshim apo të qajmë?! Jenisheri i shkruan letër Sylvinhos: U tregoj si fitohet ndeshja me Serbinë …
Ish-deputeti dhe personazh i njohur i rrjeteve sociale, Selami Jenisheri, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes me një kërkesë të pazakontë drejtuar trajnerit të kombëtares shqiptare, Sylvinho.
Përmes një letre publike, Jenisheri i kërkon teknikut brazilian që t’i japë mundësinë të punojë me lojtarët kuqezi përpara sfidës së rëndësishme ndaj Serbisë, duke pretenduar se zotëron një metodë stërvitore “shumë më të avancuar” sesa ajo e miratuar nga FIFA, madje, sipas tij, më e lartë se edhe njohuritë teknike të vetë Sylvinhos.
Në letër, ai kujton se më parë ka qenë “këshilltar i trajnerit të kombëtares” dhe se metoda e tij është eksperimentuar me porosi të FSHF-së, duke prodhuar rezultate mbresëlënëse. Ai thekson se stërvitja e tij do të ndihmonte sidomos sulmuesit, por jo vetëm, që të fitojnë vetëbesim dhe efikasitet brenda pak ditësh.
Jenisheri shton se më parë i është drejtuar edhe presidentit të FSHF-së, Armand Duka, por nuk ka marrë përgjigje, ndaj ka vendosur të shkojë direkt te Sylvinho. Ai apelon që kjo mundësi të mos shpërfillet, duke përmendur rëndësinë e veçantë, jo vetëm sportive por edhe politike, të ndeshjes ndaj Serbisë.
“Brenda 3-4 ditëve, lojtarët fitojnë një shprehi që u garanton fitoren”, shkruan ai, duke shtuar se kjo “është një e vërtetë e madhe”, edhe pse kupton se për trajnerin do të jetë e vështirë ta besojë pa e parë në praktikë.
Letra e Jenisherit ka nxitur reagime të ndryshme në rrjetet sociale, mes ironisë dhe kuriozitetit për “metodën sekrete” që ai pretendon se do të çojë Shqipërinë drejt fitores.

KOHA JONË SONDAZH

