Tension mes PSG-së dhe Kombëtares Franceze pas dëmtimit të Dembélé
Polemikat mes Paris Saint-Germain dhe Kombëtares së Francës janë ashpërsuar pas dëmtimeve të fundit të lojtarëve Ousmane Dembélé dhe Désiré Doué. Sulmuesi i PSG-së do të mungojë gjashtë javë për shkak të një dëmtimi serioz, ndërsa mesfushori Doué pritet të qëndrojë jashtë fushës rreth katër javë për shkak të një problemi muskulor.
Për të ulur tensionet, presidenti i Federatës Franceze të Futbollit (FFF), Philippe Diallo, i dërgoi të hënën një letër presidentit të PSG-së, Nasser Al-Khelaïfi. Në të, ai shprehu besimin e plotë te trajneri Didier Deschamps dhe stafi i tij, duke theksuar nevojën për bashkëpunim mes klubeve dhe kombëtares, si dhe për një rishikim të kalendarit ndërkombëtar.
Ndërkohë, ish-kampioni i botës Christophe Dugarry doli në mbrojtje të Deschamps, duke akuzuar PSG-në për mbingarkesë të lojtarit dhe për manipulim të situatës. “Përgjegjësia kryesore për dëmtimin është e klubit”, u shpreh ai.
Diallo rikujtoi se “kombëtarja është mbi gjithçka” dhe bëri thirrje për ruajtjen e profesionalizmit në marrëdhëniet mes institucioneve. Nga ana e tij, Deschamps u shpreh se stafi i tij punon gjithmonë me kujdes maksimal për lojtarët: “Ne veprojmë me profesionalizëm dhe kundërshtari ynë i vetëm është Islanda, jo PSG”.
KOHA JONË SONDAZH

