“Tërmet” te Lazio, rrezikon dy humbje në tavolinë dhe penalizim në pikë

Çështja e tamponëve te Lazio mund të shoqërohet me dënime të rënda që rrezikojnë shumë sezonin e klubit të njohur. Gjithçka do të varet nga prokuroria e Avellinos që ka ngritur çështjen në lidhje me rezultatet e një laboratori për testimet e Covid-19. Përpara akuzave kanë përfunduar presidenti Lotito dhe drejtuesi i mjekëve Pulcini.

Hetuesit federalë akuzojnë Lotiton për shkeljen e nenit 4 të kodit të drejtësisë sportive (respektimin e parimeve të besnikërisë, korrektësi dhe ndershmëri në çdo marrëdhënie sa i përket aktiviteteve sportive), të nenit 44 (paragrafi 1) të Noif (kërkesat për mbrojtja e mjekësisë sportive) dhe “mosrespektimi i protokolleve shëndetësore”, të specifikuara në komunikatën federale për Covid më 1 shtator, 2020.

Brenda një muaji do të zhvillohet seanca e parë, më pas çështja mund të shkojë në Gjykatën e Apelit, në fund Lazio mund ta apelojë edhe në Kolegjin e Garancisë së Coni, atje ku edhe fitoi çështjen Napoli për humbjen 3-0 në tavolinë ndaj Juventusit. Afati 90 ditor skadon të dielën.

Lazio nëse nuk do ia hedhë me një gjobë, atëherë rrezikon edhe humbje në tavolinë në dy ndeshjet ndaj Torinos dhe Juventusit. Nuk përjashtohet as ndonjë penalitet në renditje. Klubi bardhekaltër akuzohet se ka fshehur futbollistët pozitiv të cilët janë grumbulluar në këto sfida. /R.Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP