Tifozët e Lazios përplasen me policinë para derbit ndaj Romës (VIDEO)

Atmosfera përpara derbit të zjarrtë mes Lazios dhe Romës, që zhvillohet sonte në “Olimpico” për javën e 32-të të Serie A, është ndezur jashtë fushe. Tensionet në rrugët e Romës kanë shpërthyer që në orët e pasdites, sapo portat e stadiumit u hapën në 18:00.

Mediat italiane raportojnë për përplasje të dhunshme mes tifozëve dhe forcave të rendit. Një grup ultrasish të Lazios u konfrontua me policinë, e cila reagoi duke përdorur topa uji dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmës. Janë sekuestruar sende të forta, shkopinj dhe objekte që mund të përdoreshin për dhunë.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë tifozë që hodhën shishe dhe objekte të tjera drejt policisë. Situata u tensionua më tej kur rreth 300 tifozë të Romës u përpoqën të kalonin nga sheshi ‘Mancini’ drejt ‘Ponte Milvio’, zonë e rezervuar për tifozët e Lazios, por u ndaluan nga një kordon policor.

Përplasjet përfunduan me dëme materiale, pasi disa makina të parkuara u dëmtuan, kazanë mbeturinash u përmbysën dhe mobiljet e lokaleve përreth u shkatërruan. Rreth 1500 efektivë janë angazhuar në garantimin e rendit për këtë ndeshje, të mbështetur edhe nga karabinierë, policia financiare dhe ajo bashkiake. Derbi i kryeqytetit italian, edhe këtë herë, u parapri nga skena dhune që hodhën hije mbi ngjarjen sportive.

Derby Lazio - Roma, scontri tra ultras laziali e polizia a Ponte Milvio

 

SHKARKO APP