Tifozët shkodranë pritet të “pushtojnë” Arenën Kombëtare, interesim i lartë për finalen
Përballja vendimtare e sezonit në Superligën shqiptare do të zhvillohet këtë të hënë në “Arenën Kombëtare”, ku Egnatia dhe Vllaznia do të kërkojnë të shpallen kampionë për edicionin 2024-2025. Kjo finale, që mbyll fazën Final-Four, është konsideruar si “qershia mbi tortë” e këtij kampionati dhe pritet të dhurojë spektakël si në fushën e lojës, ashtu edhe në shkallët e stadiumit.
Interesi për sfidën është rritur ndjeshëm dhe deri më tani janë shitur mbi 7 mijë bileta, me pritshmërinë që numri të rritet deri në nisjen e takimit. Veçanërisht tifozët shkodranë pritet të jenë të pranishëm në numër të madh, falë organizimit të drejtuesve të Vllaznisë që kanë vënë në dispozicion autobuzë falas për udhëtimin nga Shkodra në Tiranë.
Atmosfera në kampin kuqeblu është e mbushur me entuziazëm, me shpresën për të fituar një titull që mungon prej 24 vitesh. Tifozët shpresojnë të bëhen lojtari i 12-të për skuadrën e drejtuar nga Thomas Brdariç, në një mbrëmje që mund të bëhet historike për Vllazninë.
Nga ana tjetër, Egnatia kërkon të rikthehet te trofetë pas humbjes në finalen e Kupës së Shqipërisë. Rrogozhinasit janë kampionët në fuqi të vendit dhe synojnë të mbrojnë titullin, pasi kanë fituar Superligën në dy sezonet e fundit.
KOHA JONË SONDAZH

