“Tirana Grand Prix”, ndahen çmimet e eventit më të madh të automobilizmit

Tirana Grand Prix, eventi më i madh i automobilizmit në Shqipëri, zhvilloi sot paradite, në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet, ceremoninë e ndarjes së çmimeve për tre vendet e para për kategorinë klasike.

“Tirana Grand Prix”, një ngjarje historike për të apasionuarit e automobilave në Shqipëri, nisi të premten edicionin e tretë, me një ekspozitë të automjeteve RETRO dhe praninë e aktorëve kryesorë të industrisë.

Edicioni i sivjetshëm konfirmoi ambicien për të kthyer Shqipërinë në një pikë referimi për zhvillimet më të fundit të sektorit.

Aktiviteti u shoqërua me muzikë, ndërsa pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë zonat ekspozuese ku paraqiteshin automjete të markave të ndryshme.

Paralelisht me panairin publiku përjetojë një kalendar të ngjeshur ngjarjesh, ku spikati gara “Best Young Driver”, që u zhvillua të premten me pjesëmarrje të të rinjve të apasionuar pas drejtimit, si dhe parada spaktakolare me automjete që vijnë nga Italia për të marrë pjesë në “Tirana Grand Prix”.

Të shtunën u zhvillua gara “Grand Prix”, si dhe një paradë inovative ku markat më të njohura automobilistike prezantuan teknologjitë më të fundit dhe vizionin për automjetet e së ardhmes.

Ndërsa e diela kulmoi me fazën finale të garës dhe ndarjen e çmimeve dhe paradën përmbyllëse.

Automotive Fair Albania III nuk është thjesht një panair makinash, është një përvojë që bashkon historinë, teknologjinë dhe pasionin për drejtimin në një event që sjell bashkë profesionistë, entuziastë dhe publikun e gjerë. Me pjesëmarrjen e aktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, ky ishte një moment kyç për të reflektuar mbi të ardhmen e mobilitetit në Shqipëri dhe më gjerë.

SHKARKO APP