Tirana humbet thellë në Shkodër, Vllaznia nuk e ndal marshimin drejt vendit të parë
Tirana e Erbim Fagut është e pafuqishme për të përballuar furinë e kuqebluve të Vllaznisë. Djemtë e Qatip Osmanit nuk e ndalin marshimin drejt vendit të parë, ku mbetet e palëkundur Egnatia, duke i shënuar 3 herë bardhebluve në “Loro Boriçi”.
Klasikja e futbollit shqiptar u zhbllokua në minutën e 21-të, me Juriç që dërgoi topin në rrjetë me kokë. Golin e dytë të Vllaznisë ia mohoi Grudës vetëm shtylla, por askush nuk mund ta ndalte dot Bekim Balajn që ta shënonte, pas një kombinimi perfekt me Esat Malën në minutën e 45-të.
Vllaznia shkoi drejt dhomave të zhveshjes me epërsinë e dy golave. Në pjesën e dytë Tirana fitoi disi terren dhe në minutën e 78-të ngushtoi shifrat me Nikqin. Festa e goli bardheblu zgjati shumë pak, pasi Balaj shndërroi në gol një penallti, dy minuta më pas. Me fitoren e sotme, Vllaznia renditet në vendin e dytë me 46 pikë, ndërsa Tirana pozicionohet në vendin e gjashtë me 35 pikë.