Tirana mes buzëqeshjeve dhe premios sfidon Vllazninë (VIDEO-LAJM)

Emanuel Egbo ka sjellë jo vetëm rezultatet, por edhe buzëqeshjen e munguar te skuadra e Tiranës. 7 sukseset radhazi kanë bërë që atmosfera në klubin bardheblu të jetë shumë pozitive. Në seancat stërvitore para duelit të së premtes ndaj Vllaznisë, futbollistët bardheblu janë parë në humor të mirë, si një shenjë se gjithçka po shkon në rrugën e duhur në kryeqytet.

I vetmi që rrezikon ndeshjen ndaj Vllaznisë është Majkëll Ngoo për shkak të një gjendje gripale, por trajneri Egbo do të vendos momentin e fundit për aktivizimin ose jo të tij. Nëse gjërat nuk shkojnë mirë, në vendin e tij do të luajë Ernest Muçi i cili ka treguar një formë shumë të mirë në këtë sezon, duke shënuar 3 gola në 11 ndeshje. Talenti 18-vjeçar sillet si një veteran në fushë, teksa transferta në Shkodër nuk do të jetë një problem për të.

Futbollistët e Tiranës do të marrin një tjetër shpërblim nëse fitojnë ndaj Vllaznisë. Mendohet se bonusi edhe në këtë ndeshje do të jetë 50 mijë lekë. Refik Halili shpërbleu lojtarët e tij për fitoren në derbin me Partizanin dhe disa takime të tjera.

Bardheblutë vijnë pas 7 fitoreve radhazi mes kampionatit dhe Kupës dhe mbajnë vendin e dytë në Superiore me 37 pikë.

SHKARKO APP