Tirana shpall futbollistin bardheblu më të mirë të shekullit

Klubi i futbollit të Tiranës, me anë të një sondazhi të hapur për tifozët dhe publikun, ka zgjedhur lojtarin e shekullit, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të klubit bardheblu. Në faqen zyrtare, Tirana publikoi si fitues  Arben Minga-n, si lojtari më i mirë dhe më i preferuar në historinë e klubit kryeqytetas. Sondazhi ishte hapur para 10 ditësh.

Arben Minga luajti për 18 vite me Tiranën, duke shënuar mbi 133 gola me fanellën legjendare të Tiranës.  Minga ndihmoi skuadrën në fitoren e 5 kampionateve, 4  Kupave të Shqipërisë dhe 1 Superkupë. Ndërkaq, ai luajti për 9 vite dhe me kombëtaren e Shqipërisë. Goli i tij famshëm kundër Belgjikës në 22 dhjetor 1984 konsiderohet një nga golat më të rëndësishëm në historinë e futbollit shqiptar.

Postimi i Tiranës:

Një shekull histori dhe një numër shumë i madh ikonash bardheblu. Një çmim është shumë pak dhe të shumtë do të jenë emrat që do të vlerësohen në festën e 100 vjetorit. Jo vetëm kaq por cilido që ka kontribuar për fanellën bardheblu do të ketë një vend në historikun e ditëve festive që klubi ka planifikuar.

10 ditë më parë propozuam të zgjidhnin tifozët lojtarin e shekullit bardheblu. Emrat e shënuar në mediat sociale kanë qënë të shumtë, si dhe propozimet për të mos u mjatuar vetëm me një emër. Me të drejtë, pasi 100 vite histori kampionësh janë shumë.

Megjithatë, ky çmim simbolik meriton të jepet pasi tifozët i janë përgjigjur propozimit dhe kanë zgjedhur të preferuarin e tyre. Arben Minga është më i votuari ndër më të preferuarit e shekullit bardheblu.

Në ditët e festës së 100 vjetorit, çmimi për ikonën “15-katëshi Minga”, do të jepet pas përzgjedhjes së bërë nga tifozët. Ju falenderojmë dhe urojmë të jeni mirë e të rikthehemi sa më shpejt së bashku!

Fotografia e KF Tirana

SHKARKO APP