Tirana zyrtarizon trajnerin e ri, Orges Shehi merr drejtimin e bardhebluve
Tashmë është zyrtare. Tirana ka emëruar në stol Orges Shehin. Pas largimit të Ardian Nuhiut, klubi bardheblu nuk ka humbur kohë dhe ka prezantuar trajnerin e ri. Shehi rikthehet te Tirana, me të cilët fitoi titullin kampion në sezonin 2021-2022, ndërsa me bardheblutë mori edhe një Superkupë.
Në njoftimin e klubit, thuhet se palët kanë rënë dakord për një kontratë deri në fund të sezonit. Misioni i tij i parë do të jetë nxjerrja e ekipit nga zona e rrezikut dhe rikthimi i stabilitetit në lojë.
Tirana renditet në vendin e parafundit në renditje dhe është një nga skuadrat më të rrezikuara për rënien nga kategoria.
“Klubi i Futbollit Tirana njofton rikthimin e Orges Shehit në krye të pankinës bardheblu. Trajneri që na udhëhoqi drejt një titulli kampion dhe trofeve të tjerë kombëtarë rikthehet për të drejtuar skuadrën deri në fund të këtij sezoni, me të njëjtin pasion, ambicie dhe mentalitet fitues”, shkruan klubi.
KOHA JONË SONDAZH

