Titullar në kombëtaren e yjeve, Bulku modest: Nuk kemi Messin e Ronaldon në ekip, e duam njëri-tjetrin
Ish mesfushori i kombëtares shqiptare, Ervin Bulku ishte pjesë e skuadrës së yjeve në aktivitetin e zhvilluar në stadiumin “Air Albania Stadium”, në kuadër të mbledhjes së fondeve për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.
Pas paraqitjes në fushë, Bulku u ndal për mikrofonin e “Ora News”, ku tregoi emocionet e zbritjes në fushë, por edhe pjesëmarrjen e tifozëve në shkallët e stadiumit. Ndërkaq, Bulku u ndal edhe te forca e grupit që e ka karakterizuar çdo periudhë kombëtaren kuqezi.
Pjesëmarrje e vogël? Mendoj se për kauzën që ishte sot, të gjithë kanë qënë bashkë edhe më përpara se të ndodh ajo fatkeqësi. Unë mendoj se kjo kauzë i bashkoi përsëri të gjithë, jo vetëm ne si futbollista por të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Populli shqiptar këtë muaj ka pasur edhe vështirësi të tjera dhe është munduar gjithsecili prej nesh që t’i gjenden pranë si atyre që humbën njerëzit e dashur dhe ato që ngelen pa shtëpi.
Në fushë, yje të viteve 2000? Shqipëria nuk ka pasur yje, por ne kemi qënë të bashkuar dhe kjo na ka karakterizuar gjithmonë. Nuk kemi lojtarë të kalibrit të Messit dhe Ronaldos por treguam dhe sot se jemi një popull që e duam njëri-tjetrin dhe besoj e shpresoj që të vazhdojë gjatë.
Tifozët? Besoj se koha e shkurtër ka qënë që stadiumi të mos mbushej tej e tej. Por edhe kjo sado pak, aq njerëz sa kanë qënë kanë dhënë kontributin e tyre për të qënë pranë atyre që kanë kaluar dhe parë tmerrin e atyre ditëve,” përfundoi Bulku.
KOHA JONË SONDAZH

