Toni Kroos: Barcelona nuk ka shanse që të fitojë këtë vit Championsin
Barcelona po shijon ende triumfin në Superkupën e Spanjës, të fituar pas një përballjeje spektakolare ndaj Real Madridit me rezultatin 3-2 në Arabinë Saudite. Ky sukses ka rritur ndjeshëm besimin në kampin katalanas, të cilët synojnë një sezon të mbushur me trofe në La Liga, Kupën e Mbretit dhe mbi të gjitha në Champions League, trofe që mungon prej më shumë se një dekade.
Pavarësisht optimizmit në “Camp Nou”, skeptikët nuk mungojnë. Ish-ylli i Real Madridit, Toni Kroos, ka shprehur dyshimet e tij për potencialin europian të Barcelonës.
Në podcastin “Einfach mal Luppen”, gjermani theksoi se Superkupa nuk është tregues i mjaftueshëm: “Barça duket e lumtur me Superkupën, por tani vjen Champions League me kundërshtarë të nivelit të lartë. Nuk do të fitojë asnjë titull kontinental, të paktën kështu mendoj unë”.
Barcelona mbetet e fokusuar te Champions League, ku objektivi i parë është renditja mes tetë skuadrave më të mira të fazës së grupeve. Me lojtarë si Pedri, Lamine Yamal dhe Raphinha në formë të shkëlqyer, shpresat janë të mëdha.
KOHA JONË SONDAZH

