Totti: Për Romën refuzova oferta edhe kur isha 48 vjeç
Francesco Totti ka mbushur 50 vjeç dhe, me këtë rast, ka rrëfyer emocionet e tij për karrierën, jetën dhe lidhjen e përjetshme me Romën.
Në një letër të publikuar nga Il Messaggero, ish-kapiteni legjendar i Romës ka folur me nostalgji për rrugëtimin e tij, që nga fëmijëria deri te vitet e lavdishme me fanellën verdhekuqe.
“Kur fryva qirinjtë, pyeta veten: ‘Vërtet 50?’ Nëse duhet t’ju them të vërtetën, nuk i ndiej. Në mendje vazhdoj të kem gjysmën e tyre, 25 vjeç”, shkruan Totti.
Ish-futbollisti italian thekson se ndihet i kënaqur me atë që ka arritur në jetë, si në futboll ashtu edhe në rolin e babait.
“Jam i kënaqur me atë që kam bërë në jetë, si futbollist dhe si baba”, shprehet ai.
Totti kujton edhe fillimet e tij, kur luante futboll së bashku me vëllain e tij Riccardo në Terme di Caracalla.
“Ka kaluar shumë kohë që kur luaja me vëllain tim Riccardo. Shpesh në fillim përfundoja në portë sepse isha më i vogli, por sapo duhej të rikuperonim rezultatin, kthehesha menjëherë në sulm”, rrëfen ai.
Për Tottin, pjesa më e rëndësishme e karrierës mbetet lidhja me Romën, klubin ku luajti gjatë gjithë karrierës së tij profesionale.
“Kur kthej kokën pas, shoh aventurën time, fillimisht si djalë dhe më pas si burrë, te Roma. Dhe ndihem i kënaqur. Kam realizuar një ëndërr, ëndrrën time: atë të një romani që arriti të luante vetëm për ekipin e qytetit të tij dhe të mbante edhe shiritin e kapitenit”, shkruan ish-numri 10.
Pse refuzoi rikthimin në futboll?
Totti zbulon gjithashtu se, disa vite më parë, kishte marrë oferta për t’u rikthyer në fushën e blertë. Mes tyre ishin edhe propozimet nga Como dhe Genoa.
“Pikërisht për këtë arsye, disa vite më parë thashë jo për rikthimin në fushë. U tundova, e pranoj. Por më pas lidhja me qytetin tim, ekipin tim dhe njerëzit e mi më bëri të thosha jo. Dhe mendoj se në fund bëra gjënë e duhur. Ndoshta do të kisha qenë egoist: do ta kisha bërë të lumtur Francescon, por do të kisha zhgënjyer miliona tifozë”, përfundon legjenda e Romës.

