Trabzonspor i fiksuar me shqiptarët, synon dhe afrimin e Myrto Uzunit
Myrto Uzuni ka nisur zyrtarisht fazën përgatitore me Austin FC, teksa sezoni i ri i MLS pritet të startojë më 22 shkurt. Megjithatë, e ardhmja e sulmuesit të Kombëtares shqiptare mund të mos jetë afatgjatë në Shtetet e Bashkuara.
Sipas raportimeve që po qarkullojnë në mediat turke, Uzuni është shndërruar në një objektiv konkret për Trabzonsporin. Trajneri i ekipit, Fatih Tekke, thuhet se e ka vendosur sulmuesin kuqezi në krye të listës së përforcimeve për pjesën e dytë të sezonit, duke e konsideruar një profil ideal për filozofinë e tij të lojës.
Tekke vlerëson veçanërisht lëvizshmërinë e pandalshme të beratasit, intensitetin në presing dhe aftësinë e Uzunit për të luajtur në disa role në repartin ofensiv. Një transferim i tillë do t’i hapte rrugën edhe një bashkëpunimi interesant mes dy shqiptarëve te Trabzonspor, me Uzunin që mund të formojë një dyshe sulmuese me Ernest Muçin.
Për momentin, nuk ka ende një ofertë zyrtare, por interesimi i klubit turk duket serioz dhe mund të konkretizohet në javët në vijim. Rikthimi në futbollin europian, veçanërisht në një kampionat konkurrues si ai turk, do të përbënte një hap të rëndësishëm për karrierën e Uzunit, sidomos në prag të angazhimeve të ardhshme me Kombëtaren.
KOHA JONË SONDAZH

