Tragjedi në Francë, ndërron jetë ish-lojtari i PSG në moshën 24 vjeç
Ish-futbollisti i Paris Saint-Germain Jordan Diakiese ka ndërruar jetë në moshën 24 vjeç. Klubi i tij aktual, skuadra amatore franceze AS Furiani-Agliani njoftoi lajmin e hidhur në profilin e tyre në Twitter paraditen e sotme.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë për vdekjen e futbollistit tonë, Jordan Diakese. Një futbollist i shkëlqyer, një njeri që gjithmonë buzëqeshte dhe ndihmonte shokët e skuadrës. Klubi ynë është në zi. Ngushëllime familjes dhe miqve”. Shkaku i vdekjes ende nuk është bërë publik në media.
Lindur në Paris, Diakiese u bë pjesë e të rinjve të PSG-së, duke luajtur për ekipin e moshave deri në 19 vjeç. Ai nuk mundi të luante asnjë ndeshje me ekipin e parë, ndërkohë që më pas u transferua te klubi zviceran Chaux-de-Fonds dhe NK Rudes në kategorinë e dytë në Kroaci. /R.Lika-Koha Jone/