Trajnerët italianë, jo të modës në Superiore
Trajnerët italianë nuk duken të modës në futbollin shqiptar. I vetmi i mbijetuar nga tregu përtej Adriatikut në kampionatin tonë, Andrea Agostinelli është pothuajse i larguar nga drejtimi i Skënderbeut. Suksesi i kombëtares shqiptare me Giani de Biasin në krye të saj u pa si një shembull për tu ndjekur dhe në fillim të këtij edicioni disa ekipe preferuan ti besonin projektin e tyre trajnerëve nga Italia. Cesare Beggi mori drejtimin e Teutës, Andrea Agostinelli kaloi nga Partizani tek Skënderbeu, ndërsa tek të kuqtë u ul një tjetër Andrea, Sormani. I pari që u largua ishte Beggi ndaj të cilit erdhi një ofertë nga Anglia për të marrë në dorë akademinë Leeds United. Në 4 javët e para nën drejtimin e tij Teuta grumbulloi vetëm 2 pikë edhe pse futbolli që shfaqi në fushë ishte i kënaqshëm.
Vendin e tij e zuri Roberto Cevolli, por që aventura e tij në Niko Dovana zgjati vetëm 3 javë, ku mori vetëm një fitore atë ndaj Luftëtarit dhe dy humbje. 5 javë zgjati aventura e Andrea Sormanit në krye të Partizanit, në drejtimin e të cilës grumbulloi vetëm 8 pikë. 51-vjeçari nuk arriti për asnjë moment të bënte për vete tifozët të cilët mbetën të pakënaqur me lojën e skuadrës nën drejtimin e tij. E njëjta situatë po përsëritet në Korçë ku Andrea Agostinelli nuk gëzon jo vetëm mbështetjen e publikut por edhe të drejtuesve dhe skuadrës. Ish trajneri i Partizanit gjysmën e sezonit të kaluar shihet si shkaktari kryesor për ecurinë e dobët të Skënderbeut, që pas humbjes me të kuqtë e sheh veten në vendin e 3 dhe për më tepër nuk bind në fushën e lojës. Italianët e këtij edicioni jo vetëm që kanë hedhur në erë për momentin projektet e klubeve por duket të kenë mbyllur dyert e kolegëve të tyre për të punuar në kampionatin shqiptar, edhe pse duhet theksuar se në superiore nuk kanë ardhur trajnerë elitarë nga vendi përtej Adriatikut
KOHA JONË SONDAZH

