Trajneri i Gjermanisë i prish planet e merkatos Bayernit, i sugjeron sulmuesit të mos zgjedhë bavarezët

Bayern Munich ka nisur kërkimet për të gjetur një qendërsulmues që mund të mbështesë Harry Kane. Edhe pse sulmuesi anglez është i paprekshëm dhe pa probleme fizike, drejtuesit e klubit janë të ndërgjegjshëm se nuk mund të mbështeten vetëm tek ai për të përballuar të gjitha kompeticionet.
Një nga emrat që ka dalë në skenë kohët e fundit është ai i Tim Kleindienst, sulmuesi gjerman i Borussia Mönchengladbach, i cili po tregon formë të mirë dhe është vlerësuar për aftësitë e tij teknike dhe fizike. Ai shihet si një profil i përshtatshëm për të kompletuar repartin ofensiv të bavarezëve.
Megjithatë, sipas “Bild”, për këtë pistë ka një pengesë të madhe: Julian Nagelsmann. Trajneri aktual i kombëtares gjermane, dhe një njohës i mirë i ambientit në Mynih, e ka këshilluar Kleindienst të mos pranojë një kalim te Bayern.
Arsyeja? Sipas tij, është e vështirë për sulmuesin të sigurojë minuta të mjaftueshme në një skuadër ku dominon emri i Kane.
Nagelsmann beson se për të siguruar një vend në Kombëtare, lojtarët duhet të jenë titullarë të padiskutueshëm në klubet e tyre – diçka që për Kleindienst do të ishte thuajse e pamundur në “Allianz Arena”.