Trajneri serb ndryshon listën e lojtarëve, refuzoi fjalët se dueli me Shqipërinë nuk është tërheqës
Serbia dhe Shqipëria do të luajnë një ndeshje kyçe për kualifikueset e Botërorit 2026, në stadiumin “Duboçica” të Leskovcit. Një fitore do të afronte të dyja kombëtaret me playoff-in, duke pasur parasysh se Anglia është praktikisht e paarritshme, kështu që është e qartë se ndeshja do të jetë tepër e luftuar.
Në kuadër të përgatitjeve për sfidën e së shtunës, ka dalë në konferencë për mediat trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, i cili shprehu bindjes se ekipi i tij do të luajë në play off. Stojkoviç ka bërë ndryshime në listën e lojtarëve të ftuar. Vanja Dragojeviç, nga ekipi U21 kaloi te skuadra e parë dhe kjo është thirrja e parë për të në përfaqësuese. 19-vjeçari është futbollist i Partizanit të Beogradit. Tranjeri Stojkoviç ka ftuar edhe anësorin e Vojvodinës, Lazar Rangjeloviç. Serbia ka filluar përgatitjet për ndeshjen ndaj Shqipërisë ditën e sotme, ndërsa përballja është të shtunën.
Përzgjedhësi i serbëve nuk u pajtua me deklaratën se dueli me Shqipërinë nuk është tërheqës. “Pse Shqipëria nuk është tërheqëse? Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe domethënëse. Duke parë tabelën dhe çfarë mund të ndodhë, Shqipëria është përparësia e të gjitha përparësive. Nuk mund të luash kundër Portugalisë, Francës dhe Gjermanisë çdo ditë, duhet të kesh ndeshje si kjo. Për mua, kjo është ndeshja dhe kundërshtari më i rëndësishëm. Një ndeshje e vështirë na pret. Po, nuk do të jetë e lehtë. Nëse nuk jemi mjaftueshëm të angazhuar, do të kemi probleme. Ashtu si Barcelona pati problem kundër Seviljes sepse nuk reagoi siç duhet. Shikoni Letoninë, atë qëndrim që kishin kundër nesh”, tha Stojkoviç.
KOHA JONË SONDAZH

