Tranjeri Kërnaja para ndeshjes me Vorën: Partizani është i karikuar për tri pikët
Vora dhe Partizani luajnë të dielën në orën 15:00. Skuadrat janë përballur edhe tre herë të tjera, duke marrë nga një fitore, nga një humbje dhe një ndeshje mes tyre është mbyllur në barazim. Partizani vjen në këtë sfidë pas 5 fitoreve radhazi, ndaj trajneri Oltijon Kërnaja tha për mediet se kjo rrugë duhet të vijojë. I pyetur për stërvitjen e Jasir Asanit me të kuqtë, Kërnaja tha se nuk po ndhmojnë vetëm futbollistin e Kombëtares i cili u largua nga lufta në Iran, por një komb të tërë, duke iu referuar ndeshjes që Shqipëria luan kundër Polonisë më 26 mars në Varshavë për play-off-in e Kupës së Botës 2026.
Fitorja është detyrim?
Ne kemi hyrë në çdo ndeshje për tre pikë edhe nesër do hyjmë për tre pikët, pjesën tjetër do ia lëmë fushës. Besoj se djemtë janë të karikuar, të gatshëm për të dhënë maksimumin për të fituar.
Si është gjendja e skuadrës?
Gjëndja e skuadrës është e mirë. Ne kemi një numër të madh lojtarësh në dispozicion. Në ndeshjen me Dinamon kishim mundësi që 4-5 prej tyre që luajtën për Kupë me Elbasanin të pushonin dhe me Dinamon aktivizuam pesë të tjerë. Gjendja fizike është shumë e mirë. Sa i përket Qakës mori një goditje te pjesa e gjurit ndaj nuk donim të rrezikonim. Është stërvitur me ekipin dhe është i gatshëm për ndeshjen e nesërme.
Mund të synojë Partizani titullin?
Unë mendoj të shohim vetëm ndeshjen e radhës, ne duhet të shohim vetëm rezultatet tona. E kam thënë që në fillim se Partizani duhet të shohë vetëm ndeshjet e veta, nëse ne marrim ndeshjet tona një e nga një, pikët aty janë, renditja aty është. Nuk jemi në dorën e askujt, varemi vetëm nga këmbët tona kështu që duhet të japim maksimumin tonë.
Prania e Jasir Asanit në stërvitjet e Partizanit?
Asani është në shtëpinë e vet. E dimë që Asani ka dhënë shumë për ekipin e Partizanit, ka ngritur trofe dhe ka dalë kampion. Asani është në shtëpinë e vet, i ka dyert e hapura gjithmonë. Ndihma është reciproke, më shumë e ndihmojmë ne Asanin, se sa Asani ne, në këtë rast, sepse e mbajmë në formë fizike që të ndihmojë një komb të tërë për ndeshjen ndaj Polonisë. Shpresojmë që t’i japim sa më shumë pozitivitet dhe energji që të jetë sa më i gatshëm me Poloninë.
Keni diskutuar për një rikthim të Asanit te Partizani?
Nuk besoj që është momenti dhe koha që Asani të kthehet, besoj ka një karrierë përpara. Shpresojmë që edhe lufta të mbaroj dhe të kthehet pranë ekipit të tij. Të shohim më të mirën për djalin, pjesa tjetër janë procedura që zgjasin shumë dhe ne jemi në 9 ndeshjet e fundit, kështu që nuk besoj se do të ketë diçka serioze momentalisht”, tha trajneri i Partizanit.
Pas 27 ndeshjeve të zhvilluara në Superligë, Partizani me 42 pikë mban vendin e katër dhe është brenda objektivit ‘Final 4’, zonë që të dërgon në garën për titullin kampion. Nga ana tjetër Vora me 26 pikë mban pozitën e tetë dhe djemtë e Arjan Bellait kanë që prej 15 janarit që nuk fitojnë (tetë ndeshje), pikërisht kur mposhtnin 0-1 Partizanin.
KOHA JONË SONDAZH

