Transferimi i bujshëm i v Arsenal sjell në Londër yllin e Brazilit
Arsenal ka arritur marrëveshjen për një nga transferimet më të rëndësishme të merkatos, duke siguruar shërbimet e mesfushorit brazilian Bruno Guimaraes nga Newcastle United. Klubi londinez ka mbyllur akordin me “Qymyrxhinjtë” për transferimin e 27-vjeçarit, i cili pritet të jetë një përforcim i madh për skuadrën e drejtuar nga Mikel Arteta.
Sipas raportimit të gazetarit të njohur David Ornstein për “The Athletic”, marrëveshja mes dy klubeve është arritur mbi bazën e një vlere prej 75 milionë paundësh si tarifë fikse, ndërsa 5 milionë paundë të tjera do të përfshihen përmes bonuseve të ndryshme. Në total, operacioni mund të arrijë shifrën e 80 milionë paundëve.
Mesfushori brazilian ka rënë dakord edhe për kushtet personale me Arsenalin dhe pritet të firmosë një kontratë katërvjeçare, me mundësi rinovimi edhe për një sezon të pestë. Në ditët në vijim, Guimaraes do t’i nënshtrohet testeve mjekësore, një procedurë standarde përpara finalizimit të çdo transferimi.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, pas përfundimit të vizitave mjekësore pritet të vijë edhe njoftimi zyrtar nga klubi i Arsenalit për afrimin e brazilianit.
Bruno Guimaraes ka qenë një prej figurave më të rëndësishme të Newcastle United gjatë viteve të fundit. Që prej transferimit të tij nga Lyon, ai është kthyer në një lider në mesfushën e skuadrës angleze, duke spikatur me cilësitë teknike, forcën fizike dhe aftësinë për të ndihmuar si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese.
Kalimi i tij te Arsenal shihet si një lëvizje strategjike për “Topçinjtë”, të cilët synojnë të forcojnë edhe më shumë mesfushën dhe të konkurrojnë për objektivat madhorë në Premier League dhe kompeticionet europiane. Mikel Arteta e konsideron brazilianin një lojtar që përshtatet me filozofinë e skuadrës dhe që mund t’i japë më shumë ekuilibër repartit të mesfushës.
KOHA JONË SONDAZH

