Tronditet Rumania, ja çfarë e pret Jordaneskun pas ndeshjes me Shqipërinë
Plas te Rumania, në prag të ndeshjes me Shqipërinë. I kryqëzuari më i madh është trajneri i kombëtares së këtij vendi, Angel Jordanesku. Ky i fundit është sulmuar si i vjetëruar në metoda pune nga një ish-futbollist i kësaj kombëtareje, ndërsa nga ana tjetër, “Gazeta Sporturilor” ka njoftuar mesditën e sotme në mënyrë ekskluzive se nuk do t’i rinovohet kontrata nga Federata Rumune e Futbollit. Pra, fati i këtij trajneri është deri diku edhe në duart e Shqipërisë, kombëtarja e së cilës do të luajë të dielën, në orën 21:00, në Lion, ballafaqimin e fazës finale të Europianit të kësaj vere. Kuqezinjve u nevojitet një fitore me dy gola, që të shpresojnë të përparojnë më tej në këtë turne, ndërsa tri pikët u duhen edhe rumunëve për të njëjtin qëllim.
“Gsp.ro” shkruan: “Adio, Iordănescu”, dhe vazhdon më tej: “FRF vendosi për fatin e trajnerit dhe ka evidentuar tashmë kandidaturat që do të marrin përsipër eliminatoret e “Botërorit 2018”. Fati i Jordaneskut është vendosur. Vetëm një rezultat i shkëlqyer në “Euro 2016” do ta mbajë atë në detyrë. FRF është në diskutime të avancuara me trajnerë të tjerë për të marrë përsipër drejtimin e kombëtares pas turneut të Francës. Në mes të korrikut, kontrata e Jordaneskut përfundon, ndaj ndeshja me Shqipërinë mund të jetë e fundit në drejtimin e Rumanisë.
Aktualisht, FRF e ka vendosur t’i vazhdojë pa Jordaneskun kualifikueset e Kupës së Botës në vitin 2018, por nuk dëshiron ta bëjë publik vendimin derisa vijon ndeshjet në Grupin A të “Euro 2016”. Burime nga federata flasin për këtë, pa marrë parasysh se si do të përfundojë aventura e “tricolor” në Francë. Jordanesku ka pak shanse për të qëndruar më gjatë në krye të kombëtares. Për të mos thënë zero shanse! Në fakt, FRF do t’i përgatisë atij një post në administratë, pse jo si drejtor teknik për ekipet kombëtare. Natyrisht, me një pagë shumë më të ulët se 30.000 euro neto në muaj, sa merr tani.”
Ndërkohë, ish-sulmuesi, Ionel Ganea, që në 36 ndeshje me Rumaninë ka shënuar 19 gola, e ka akuzuar Jordaneskun për një koncept futbolli të prapambetur: “I dëgjova deklaratat e trajnerit, sipas të cilit futbollistët nuk janë të përgatitur për të luajtur në çdo tri ditë. Në këndvështrimin tim është diçka e pakonceptueshme. Nuk ka dyshime që në këtë pikë faji është vetëm i Jordaneskut. Ai nuk ka qenë në futbollin aktiv për 10 vjet, nuk është i përditësuar me atë që ndodh në futbollin modern dhe pasojat po i paguan kombëtarja rumune. Emërimi i Jordaneskut në stol ishte gabimi më i madh i federatës.”
KOHA JONË SONDAZH

