Tudor: Ta harrojmë Interin dhe Dortmundin, ndaj Veronës duhet të bëjmë ndeshje të madhe!
Trajneri i Juventusit, Igor Tudor, ka dalë në mbrojtje të skuadrës së tij pas dy ndeshjeve të fundit në Champions League dhe Serie A. Në prag të sfidës me Veronën, tekniku kroat kërkoi më shumë objektivitet në vlerësime.
“Nuk është momenti për të bërë procese. Duhet parë koncepti i lojës: një fitore 4-3 me Interin është një sukses i madh dhe një barazim 4-4 me Borussia Dortmund është një rezultat i bukur kundër një skuadre të nivelit botëror,” – deklaroi Tudor.
Tudor doli hapur në krah të Kelly, i cili ka marrë kritika së fundmi: “Ka pasur shumë padrejtësi ndaj tij. Në 5-6 muajt e mi këtu ka bërë gjithmonë mirë. Nuk duhet të presim golat për ta vlerësuar, ai ka qenë i qëndrueshëm edhe më parë.”
Një mbrojtje e fortë edhe për portierin Di Gregorio, që është kritikuar pas 7 golave të pësuar: “Nuk ka asnjë pushim për të. Do të jetë portieri i parë gjatë gjithë vitit. Jam shumë i kënaqur me të, nuk ka bërë pothuajse asnjë gabim. Vetëm ndoshta në një gol mund të kishte reaguar ndryshe. Por nuk ka lidhje me golat e pësuar.”
Edhe pse ekipi ka treguar shenja lodhjeje pas ndeshjes kundër gjermanëve, Tudor nuk pranon justifikime: “Dy ndeshjet e fundit tashmë janë harruar. Kundër Veronës do të jetë e treta në një javë, por nuk ka alibi. Duhet të shkojmë atje për të bërë një ndeshje të madhe.”
Juventusi kërkon të japë një tjetër sinjal të fortë, duke treguar karakter dhe stabilitet në një moment vendimtar të sezonit.
KOHA JONË SONDAZH

