U-21, Alban Bushi: Fitorja me lojë të keqe s’bën punë

Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, analizoi ecurinë e kuqezinjve, në kualifikueset e Europianit për këtë grupmoshë. Ai deklaroi se objektivi nuk ishte kualifikimi në Europian, ndërsa theksoi se vetëm një i çmendur mund të donte vendin e parë. Bushi deklaroi se kombëtaret e tjera, marrin lojtarë nga kombëtarja A, ndërsa te Shqipëria ndodh e kundërta. Shqipëria U-21 mbylli kualifikueset në vendin e katërt në grupin E, me 16 pikë të grumbulluara, pas Rumanisë, Finlandës dhe Zvicrës.

”Nuk mund të them që pritshmëritë ishin më të mëdha. Ne bëmë mirë në këtë edicion. Kundërshtarët kanë qenë shumë të fortë. Grupi ishte i ekuilibruar. E nisëm mirë, me dy fitore, ndaj Armenisë dhe Rumanisë, por e dinim se do të ishte e vështirë. E mbyllëm mirë. Nuk kishim vazhdimësi në mes të kompeticionit. Nëse një ekipi dëshiron të kualifikohet, duhet të ketë vazhdimësi. Zvicra dhe Rumania, bëjnë diferencat sa i përket lojtarëve. Na kanë penalizuar shumë gjëra, siç ishte kalimi i lojtarëve nga U-21 te ekipi A. Shpendi na ka prishur punë për penalizmin. Ndeshja me Malin e Zi na ka prishur shumë punë.

Ekipet e tjera si Zvicra, Finlanda dhe Rumania, marrin lojtarë më të mirë, i zbresin nga ekipi i parë, tek U-21. Te ne funksionon ndryshe. Shqipëria është ekip modest, që ka bërë hapa të mëdha në vitet e fundit. Ekipi A ka marrë shumë lojtarë nga ne dhe mbase na ka penalizuar. Mbaj mend që në ndeshjen me Malin e Zi kishim mungesa dhe u penalizuam nga mungesa e Medon Berishës.

Objektivi brenda FSHF, nuk ka qenë kualifikimi. Duhet të zinim një vend sa më të lartë dhe të dërgonim një grup lojtarësh tek ekipi A. Duhet të ishim të çmendur do të thonim që do të dilnim në vend të parë. Mund të them se bëmë mirë. Një trajner i ekipit kombëtar nuk duhet vetëm të marrë 3 pikë, por të mësojnë të luajnë edhe mirë, bukur. Para ndeshjeve iu them djemve që nuk na bën punë një fitore me lojë të keqe. Ne duhet të luajmë bukur, sidomos me kundërshtarët e nivelit. Nëse nuk i bëjmë këto, lojtarët nuk rriten. Objektivi kryesor ka qenë të dërgonim lojtarë tek ekipi A.

Ka qenë e vështirë dhe kemi kaluar një tranzicion të madh, mungon futbolli i rrugëve këtu. Falë zotit ka shumë shqiptarë jashtë vendit dhe skautët po bëjnë një punë të mirë. Klubet shqiptare lënë shumë për të dëshiruar tek akademitë, nuk e di pse nuk punojnë ashtu si duhet, nuk arrij ta kuptoj, lë shumë për të dëshiruar kampionati i fëmijëve”, deklaroi Bushi.

SHKARKO APP