UEFA bën ndryshimin historik për finalen e Champions League
Finalja e Champions League, duke nisur nga edicioni i këtij viti, nuk do të luhet më në orën tradicionale 21:00, por do të nisë në 18:00. Vendimi historik u njoftua nga UEFA vetëm pak orë para shortit të “fazës së ligës”, që hidhet sot në orën 18:00. Finalja e këtij sezoni do të zhvillohet më 30 maj në Budapest.
Sipas UEFA-s, ky ndryshim synon të përmirësojë përvojën e tifozëve dhe skuadrave, duke lehtësuar udhëtimet, organizimin dhe krijimin e një atmosfere më mikpritëse në qytetin pritës. Një orar më i hershëm do t’i mundësojë tifozëve dhe familjeve të jenë më pranë ndeshjes dhe të festojnë më gjatë pas saj.
“Edhe pse orari i mëparshëm ishte i përshtatshëm për ndeshjet gjatë javës, fillimi në 18:00 për finalen e 30 majit do të thotë që gjithçka përfundon më herët, duke i lënë tifozëve mundësi për të shijuar mbrëmjen me familjen dhe miqtë,” deklaroi presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.
Ky ndryshim pritet të sjellë përfitime edhe në audiencën televizive, sidomos në kontinentin aziatik, ku ndeshja nuk do të transmetohet më në orët e para të mëngjesit.
Edhe Football Supporters Europe e ka përshëndetur këtë vendim. Drejtori ekzekutiv i organizatës, Ronan Evain, theksoi: “Ky është një hap pozitiv për tifozët. Nisja më herët ul stresin e udhëtimit dhe e bën përvojën shumë më të këndshme e të aksesueshme për të gjithë.”
KOHA JONË SONDAZH

