UEFA shkruan për Shqipërinë, vëmendja te stadiumi i ri “Air Albania”
Shqipëria e futbollit ka qenë në qendër të vëmendjes së UEFA-s në javët e fundit. Sigurisht, vendimi i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që Tirana të presë finalen e parë të kompeticionit më të ri në Europë, UEFA Conference League, ka qenë i bujshëm dhe historik.
Në numrin e fundit të revistës zyrtare të qeverisë së futbollit europian “UEFA Direct”, emri i Shqipërisë, Tiranës, stadiumit kombëtar “Air Albania” dhe Federatës Shqiptare të Futbollit janë lakuar për dy tema të rëndësishme.
E para, është zhvillimi i finales së këtij Conference League në kryeqytet, i cili do të nisë nga sezoni i ardhshëm dhe i është dhënë një hapësirë e madhe, duke i bërë jehonë kësaj ngjarjeje.
“Stadiumi, me një kapacitet prej 21,690 personash, në Tiranë, Shqipëri, do të presë finalen e parë në 25 maj 2022, siç u lajmërua nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në 3 dhjetor 2020”, shkruhet në artikullin e posaçëm për këtë vendim.
Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë, që sërish, përmes futbollit, ia doli të jetë në qendër të mediave europiane dhe të jetë në faqet e revistës së UEFA-s, duke ndikuar në imazhin e vendit.
Po në këtë numër një hapësirë të konsiderueshme i është dhënë edhe 90-vjetorit të Federatës Shqiptare të Futbollit me nën artikull që shpjegon gjithçka, që nga hapat e para të këtij institucioni e deri te suksesi i kualifikimit për në finalet e Euro 2016.
“Kushtet e krijuara nga kufizimet për shkak të pandemisë shkaktuar nga Covid-19 penguan disi Federatën në organizimin e një serie aktivitetesh të programuara, por pavarësisht kësaj, opinioni sportiv në Shqipëri e përjetoi atmosferën festive që FSHF përçoi nëpërmjet mesazheve të saj”, shkruhet në artikullin e publikuar në botimin zyrtar të UEFA-s.