Unë kurrë s’kam luajtur kundër Neymar, flet Rodrygo: Kur takova Zidane më zunë të dridhurat
Braziliani i Real Madridit, Rodrygo Goes, dha një intervistë për ‘Esporte Interativo’, ku foli për marrëdhënien e tij me Zinedine Zidane, Vinicius Juniron, Neymarin dhe Casemiron.
Rodrygo bëri një paraqitje të mrekullueshme ndaj Leganesit në kampionat, dhe për këtë mori vlerësime nga i gjithë opinioni sportiv.
Javë e mrekullueshme. Titullar në Ligën e Kampionëve, dhe një gol në debutimin tënd në Bernabeu. Si ndihesh?
Shumë i lumtur. Kam realizuar një ëndërr. Për mua, do të ishte mjaftueshëm të luaja disa minuta, por Zidane më futi titullar. Kjo ka qenë java më e lumtur. Mendoj se e shfrytëzova mundësinë dhe fakti që jam ftuar nga Tite tregon gjithçka.
Si e përballon konkurrencën me Vinicisuin?
Në të njëjtën mënyrë si me pjesën tjetër të skuadrës. Është një konkurrencë e shëndetshme. Viniciusi dhe unë jemi shokë të mirë, bashkëlojtarë, dhe nuk flasim për këtë. Nuk kemi nevojë. Gjithashtu, Viniciusi më ndihmon shumë çdo ditë sepse ai erdhi këtu para meje. Në Brazil njerëzit tentojnë të na krahasojnë, por kjo s’ndodh kurrë mes nesh. Ne jemi shokë, e ndihmojmë njëri-tjetrin.
Çfarë marrëdhënie ke me Zidanen?
Kur u takova me të, më zunë të dridhurat. Që nga fillimi, më ka trajtuar mirë dhe më ka mësuar shumë gjëra. Kur isha i lënduar, unë nuk ndihesha mirë, isha pothuajse në depresion. Por, ai vinte çdo ditë në departamentin mjekësor dhe më fliste për të më inkurajuar. Kjo ishte shumë e rëndësishme për motivimin tim gjatë procesit rikuperues. Ai më dha shumë vetëbesim dhe unë u ktheva më i fuqishëm.
A e ke ndonjë lojtar që e përdor si shembull për t’u frymëzuar?
Casemiro, pa asnjë dyshim. Ai është shembull për të tjerët, pasi edhe pse ka arritur gjithçka në karrierën e vet, ai vazhdon të punojë jashtëzakonisht shumë. Nuk e kisha njohur atë më parë dhe e vërteta është që është lider.
Është e pamundur të flasësh me ty pa e përmendur Neymarin. Ju të dy keni ardhur nga Santos dhe pritet të takoheni në Ligën e Kampionëve më 26 nëntor.
Unë kurrë s’kam luajtur kundër Neymarit dhe nuk është që më tërheq shumë mundësia e të luajturit kundër tij. Shpresoj që mos të luaj (duke qeshur). Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, do të jetë e mrekullueshme ta shohim atë duke luajtur. Shpresoj që bashkëlojtarët e mi do të mbrohen mirë dhe do ta ndalin atë.