United bën gati 60 milionë euro për të rrëmbyer Skriniar nga Interi
Milan Skriniar është një nga emrat që mund të largohet nga Interi këtë verë, pasi skuadra të shumta europiane janë gati të paguajnë shifra të mëdha për kartonin e tij, ndërsa në krye të listës qëndron Manchester United. Solskjaer e sheh mbrojtësin sllovak si partnerin e duhur të Harry Maguire në qendër të repartit të prapavijës dhe ka porositur drejtuesit e klubit anglez që të bëjnë maksimumin për ta sjellë Skriniar në “Old Trafford”.
“Djajtë e kuq” janë gati të paguajnë deri në 60 milionë euro për kartoni ne mbrojtësit, ndërsa Marotta e Ausilio shpresojnë që shifra të rritet, duke qenë se në ankand mund të përfshihen edhe klube të tjera si Barcelona, Real Madrid e Manchester City.
Burime pranë klubit zikaltër bëjnë me dije se edhe Conte ka dhënë miratimin për një shitje të mundshme të sllovakut, duke qenë se ky i fundit nuk ka arritur të përshtatet si duhet në rreshtimin me tre në prapavijë dhe është parë shpesh në vështirësi gjatë këtij sezoni.
Ndërkohë me paratë e arkëtuara nga shitja e Skriniar, mund të investohej për të sjellë menjëherë në Milano mbrojtësin shqiptar Marash Kumbulla, apo të marrjes së Jan Vertonghen, i cili pritet të lërë Tottenhamin me parametra zero këtë verë.