United sfidon Juven dhe City-in për mesfushorin e Atalantës

Manchester United nuk e ka harruar objektivin e tij nga vera e kaluar. Sipas raportimeve të fundit nga mediat italiane, “Djajtë e Kuq” kanë vënë sërish në shënjestër Ederson, mesfushorin brazilian të Atalantës, për të cilin kishin bërë një ofertë prej 50 milionë eurosh në fund të merkatos së verës 2024, por që ishte refuzuar nga klubi bergamask.

Kontaktet e reja mes palëve janë tashmë kryer dhe të tjera janë planifikuar pas finales së Europa League mes Manchester United dhe Tottenham më 21 maj në Bilbao – një ndeshje që do të vendosë edhe fatin e kualifikimit në Champions League për sezonin e ardhshëm.

Sipas gazetarit të njohur italian, Alfredo Pedullà, United ka një avantazh në garë, pasi ka lëvizur para rivalëve të tjerë si Juventus dhe Manchester City. Megjithatë, për të siguruar shërbimet e Ederson, klubi anglez do të duhet të bindë Atalantën, e cila kërkon të paktën 60 milionë euro për kartonin e tij.

Ederson ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer me Atalantën, duke luajtur 48 ndeshje, shënuar 5 gola dhe dhuruar 2 asistë, duke u kthyer në një nga pikat më të forta të mesfushës së trajnerit Gasperini. /R.Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP